“Sazani”/ Rama: Me Trump i kam raportet e mira, ja si e njoha dhëndrin e tij

0
163
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama pranon se grupi i përfaqësuar nga dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner ka dorëzuar zyrtarisht projektin për investim në ishullin e Sazanit, për të cilin ka mungesë të plotë transparence. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Rama tha se sa i përket Zvërnecit, nuk kanë ende një projekt zyrtar të dorëzuar nga ky grup.

Kreu i qeverisë deklaroi se me Jared Kushner e ka takuar për herë të parë në Durrëes, ku kishte ardhur së bashku me gruan dhe miqtë e tij. Rama tha se është ftuar nga pronari i jahtit me të cilin udhëtonte Kushner dhe aty kanë patur një bisedë së bashku dhe me persona të tjerë. Ai rrëfen se pas kësaj bisede në Durrës ka patur disa takime me dhëndrin e ish-presidentit Trump.

I pyetur nëse a po e “fal” Sazanin për të rindërtuar marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan Donald Trump, Rama tha se me të i ka patur raportet e mira dhe se s’ka se çfarë të rindërtojë.

Edi Rama: Po ndodh ajo që po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e Presidentit Trump. Ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit. Zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin nga ky grup për të bërë në Sazan një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e paardhësve të mi, kemi pasur 3-4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj që i kemi refuzuar ne sepse nuk kanë qenë qasje të përputhura me atë që ne mendojmë dhe në këtë rast shpresojmë që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar, një destinacion turistik i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe që të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit në botë. E vë Shqipërinë në nivelin më të lartë që disponojnë të tilla adresa në perimetrin e tyre dhe i sjell Shqipërisë një burim të ri të ardhurash për shqiptarët, për buxhetin e shtetit, për ekonominë tonë.

Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që është një turizëm që ndryshe nga turizëm masiv, nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion. Qëllimi është të marrim shkas nga të gjitha zhvillimet e tjera dhe të bëjmë një zhvillim që të jetë një shembull se si investohet në harmoni me natyrën dhe krijohet një impakt ekonomik shumë më i fortë.

Blendi Fevziu: Kisha dje Gazment Bardhin që dje ka bërë këtë deklaratë për Sazanin: Nëse është një investim që i shërben interesit publik, është i mirëpritur, ne mbështesim çdo investitor të huaj, por kur bëhet fjalë për një pronë që është e qytetarëve shqiptarë, çdo investim i huaj duhet të jetë me garë.

Edi Rama: Investitorët nuk vijnë për interes publik, por për të tyrin, interesin publik e mbron qeveria si palë dhe unë nuk pranoj as leksione, as opinione dhe as pyetje nga ata që kur kanë pasur mundësi që të mbrojnë interesin publik, dihet se çfarë i kanë bërë Shqipërisë. Të mbrosh interesin publik do të thotë jo vetëm të respektosh kushtetutën dhe ligjin, por të negociosh në emër të atyre që përfaqëson. Ndryshe nga se ndodhte përpara, ku thuhej Shqipëria 1 Euro, një formulë që funksionon nëse mbron interesin e publikut dhe nga ana tjetër çfarë është bërë me 1 Euro, katastrofë që bie ndesh me interesin e publikut.

Blendi Fevziu: Ka zëra që ju po e jepni këtë koncension për të rindërtuar një raport me ish-Presidentin Trump, të cilin e keni quajtur turpi i njerëzimit 8 vjet më parë.

Edi Rama: Unë kam një të mirë që është edhe e keqe, unë them atë që mendoj dhe mendoj atë që them. Kam thënë atë që kam menduar në atë kohë kur presidenti amerikan u bë president, të gjithë këta festuan sepse menduan që ne nuk e heqim dot atë, por do na e heqi ai atje. Ngjarjet rodhën ndryshe. Unë nuk kam raport për të rindërtuar me ish-presidentin Trump sepse raportet me të i kam pasur shumë të mira dhe nuk kam asnjë arsye për të rindërtuar një raport me të.

Edi Rama: E kam njohur rastësisht sepse ka ardhur bashkë me gruan dhe me miq të tjerë për ta vizituar Shqipërinë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit dhe ai që ishte prijësi i tyre, më ftoi kur ata kishin ndalur në Durrës për t’u furnizuar dhe për ta vazhduar më tutje. Kemi bisdeduar, nuk ishin 2 por një grup më i madh njerëzisht dhe jemi takuar herë pas here.

Blendi Fevziu: A është Sazani sot zonë ushtarake?

Edi Rama: Po është zonë ushtarake. Do të duhet patjetër të hiqet nga lista e ushtrisë.

Blendi Fevziu: Keni pasur një eksperiencë me këtë gjënë me Portin e Sarandës. Është në SPAK çështja.

Edi Rama: Jo, ne nuk kemi pasur eksperiencë të keqe. Ne kemi ndeshur një situatë që ka krijuar një eksperiencë shumë të keqe për të drejtat e zhvillimit të një prone në bazë të një kontrate për sipërmarrësit. Aty ka një kontratë dhe ajo kontatë është kontratë me një sipërmarrje dhe marrja peng e një investimi që dot do t’i kishte dhënë Sarandës një marinë turistike të nivelit që pretendojmë të ketë Shqipëria, është në shkelje të plotë të të drejtave të investitorëve. Fatmirësisht ata janë shqiptarë, po të ishin të huaj do të kishin shkuar në arbitrazh. Pengohen 200 milionë Euro. Drejtësia ka të drejtën t’i bëjë të gjitha në raport me një procedure që i takon autoriteteve shtetërore. Nuk ka të drejtë të marrë peng një kontratë të nënshkruar që obligon shtetin shqiptar. Fati i mirë është që ata janë shqiptarë sepse po të ishin të huaj, do të na kishin marrë qimet e kokës. Aty pengohen 200 milionë.

Blendi Fevziu: Sazani, kur mendoni se do të marrë koncept më konkret?

Edi Rama: Është proces. Ata kanë bërë një aplikim për Sazanin, shprehin interesin. Tani, ajo duhet të kalojë sitën e agjencisë për të parë nëse përputhet me të gjitha kriteret që ka një aplikim i tillë dhe paralelisht vjen dhe projekti.

Zjarr Tv Ad