Sejamini: Shikojeni fjalimin e Ramës pa zë, për të kuptuar në çfarë gjendje është

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti Neritan Sejamini ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që dënon sulmin në veri të Kosovës.

Sejamini e quajti rezolutën të vonuar dhe tha se Shqipëria me anë të qeverisë, duhet të kishte qenë në krah të Kosovës sapo ndodhi sulmi terrorist, por dështoi ta bëjë këtë.

“Rezoluta është një mjet komunikimi, simbol i një qëndrimi. Çfarë duhet të kishin bërë shqiptarët që në momentin që ndodhën gjërat në Kosovë? Duhet të ishin të gjithë të bashkuar pas Kosovës dhe qeverisë së Kosovës. Ne këtë dështuam ta bëjmë, qeveria jonë dështoi, në momentin më të rëndësishëm. Shqipëria, sa herë shtrohet çështja e Kosovës përballë Serbisë, duhet të jetë e gjitha e bashkuar në një zë pro Kosovës, pa gjykuar dhe pa paragjykuar. Ne këtë dështuam ta bëjmë. U arrit kompromis. Vërtet kemi nevojë të luftojmë mes nesh për të arritur kompromis për Kosovën?

Këta janë përfaqësues të qytetarëve, unë jam i bindur që po të pyesësh shqiptarët, a do të dënonin atë që ndodhi, do të ishin gati menjëherë, ndërsa përfaqësuesit e shqiptarëve janë shumë të vonuar për këtë që arritën sot. E fundit fare, shumë zhurmë për asgjë. Të gjithë debatet, megalomania, nuk i bëjnë nder kauzës së rëndësishme për të cilën po bëhet rezoluta. Ai është një akt simbolik, duhet të jetë më solemn”, tha Sejamini.

Ndërsa për fjalimin e acaruar të Edi Ramës në Kuvend, Sejamini propozi një “eksperiment”, shikimin e tij pa audio, sepse sipas analistit, gjestikulacionet e Ramës janë të mjaftueshme për ta kuptuar gjendjen ku Rama ndodhet.

Sejamini tha se veprimet e Ramës në raport me Kosovën, janë kryesisht të lidhura me interesin e tij personal.

“Nuk dua ta diskutoj fjalimin. Hiqini zërin Ramës dhe për 50 minuta… Nëse do të gjykosh se në çfarë gjendje është dikush që po flet, gjestikulacionet janë shumë të rëndësishme. Bëj një eksperimet dhe shikoje pesë minuta. Unë mendoj se zoti Rama, përfshihet në këtë çështje për interesat e veta. Ai sot ka një rol që do që ta mbajë edhe Kosovën nën presion, që faktori shqiptar të mos jetë i ndezuar nga ndjenjat kombëtare, por të ketë një farë presioni.

Ai në fund të ditës di një gjë, pasi të kalojë ky moment, do të duhet një zgjidhje politike. Do të kalojë momenti i sigurisë, në fund do të vijë një zgjidhje politike. Ata që duan këtë, duan që palët të ulen pa shumë pretendime. Rama po e luan këtë rol për hir të SHBA, apo fuqive të tjera perëndimore. Zoti Rama ka mundësi ta bëjë këtë gjë, sepse pushteti i tij në Shqipëri është i parrezikuar. E imagjinoni dot zotin Rama të mbajë këtë qëndrim nëse në Kuvend pushteti i tij do të varej nga një votë e vetme? Nëse pushteti i tij do të ishte i rrezikuar brenda Shqipërisë?

Duke qenë se kemi pushtet të konsoliduar të tij, me një opozitë të fragmentarizuar, e cila nuk e rrezikon, kemi media që nuk e heton dhe kritikon, Rama e ka braktisur politikën e brendshme dhe ka luksin të merret me politikën e jashtme. Po të kishte sot BE dhe SHBA që kërkojnë llogari për krimin dhe korrupsionin, pozicioni i zotit Rama do të ishte i dobët. Këtyre u jep këtë rol të paqëtarit dhe brenda nuk ka asnjë lloj shqetësimi. Mund të mos jetojë në Shqipëri me javë dhe muaj dhe pushteti i tij nuk rrezikohet. Parlamenti i lutet vetëm të vijë, ta shohin, ti flasë…”, tha ndër të tjera Sejamini.

Zjarr Tv Ad