Sera me kanabis në Berat i “ha kokën” të besuarit të Çuçit, shkarkohet Edmond Tarkaj

0
103
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Aksioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Berat, ku 870 kg kanabis u sekuestruan në një serë në fshatin Kutalli, të përshtatur për përpunimin e lëndës narkotike, i ka kushtuar shtrenjtë edhe drejtorit të policisë së qarkut, Edmond Tarkaj.

Pas operacionit policor me mbi 100 të shoqëruar dhe 11 të arrestuar që mbeten pas hekurave, dyshime lindën sesi një fermë gjigande kanabisi ishte ngritur në qendër të një fshati, shumë pranë aksit kombëtar Berat-Fier dhe i kishte shpëtuar syrit të autoriteteve.

Policia Vendore e Beratit pasi u la tërësisht jashtë loje në aksionin që çmontoi aktivitetin kriminal, ku ishin punësuar dhjetëra gra, të cilat mbërrinin në fshat nga zona të tjera të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhë, Kamzën e të tjerë, u vesh me hije të forta dyshimi për rolin e saj.

Është shumë e çuditshme se si zyrtarët policorë nuk kanë pasur asnjë informacion mbi këtë fermë kanabisi, ndaj Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria nisën menjëherë një hetim për të zbuluar rolin e drejtuesve të lartë policorë në Berat, por edhe oficerëve lokalë në mbarëvajtjen e këtij procesi, për të shmangur goditjen e tij nga forca e ligjit.

Në listën e të verifikuarve gjatë hetimit të këtyre dy institucioneve ishte edhe vetë drejtuesi i Policisë së Beratit, Edmond Tarkaj dhe të gjithë vartësit e tij.

Tarkaj konsiderohet edhe si një prej njerëzve të besuar të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, pasi ishte i vetmi drejtues që nuk u prek nga rokada e Gledis Nano, me këtë të fundit që në rreth 11 muaj që qëndroi në drejtimin e policisë ndryshoi dhe qarkulloi 11 nga 12 drejtorët vendor të uniformave blu në qarqe.

Edmond Tarkaj nuk lëvizi nga qarku i Beratit, i cili është edhe zona elektorale e ministrit Çuçi, por duket se me çështjen e dyshimtë të serave të kanabisit drejtori i ri i policisë, Muhamet Rrumbullaku është bindur për ta hequr nga detyra.

Edhe pse është investim direkt i Çuçit dhe veprimtaria e tij është e mbështetur fuqishëm nga Ministri i Brendshëm, Tarkaj do të zvëendësohet nga Kastriot Skënderi, i cili deri më tani mbante postin e këshilltarit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Skënderi, disa vite më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë së Tiranës, ndërsa ky është ndryshimi i parë në rang drejtorësh në Policinë e Shtetit me Rrumbullakun në krye.

Zjarr Tv Ad