Me dhjetëra serbë kanë marrë pjesë në festivalin e pazakontë të vrapimit në të ftohtë, i cili e kërkon që të dalin vetëm me të mbathura. Këtë herë Beogradi ishte mbuluar nga dëbora, e megjithatë, pjesëmarrësit në garë i kanë sfiduar ngricat në një mënyrë që jo kushdo arrin ta bëjë.
Festivali i sivjetshëm i pa pjesëmarrësit të vraponin për 1600 metra në temperatura nën zero. Ideja e merr frymëzimin nga metodat ruse të forcimit të sistemit imunitar të trupit përmes ekspozimit në të ftohtë, si dhe nga teknikat e krioterapisë, të përdorura nga sportistët pas seancave stërvitore intensive.
“Ne thjesht duam të tërheqim vëmendjen e njerëzve, duke i ndërgjegjësuar për rëndësinë e aktivitetit fizik, e sidomos në kushtet e dimrit kur është ftohtë dhe shumica përtojnë të dalin nga shtëpitë e tyre të ngrohta. Ne duam t’ju kujtojmë se duhet të vazhdojnë të mbeten aktivë dhe të stërviten, nëse duan të ndihen mirë”, shprehet një pjesëmarrës.