Serbia ndalon mbajtjen e Paradës së Krenarisë

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Autoritetet serbe kanë ndaluar marshin e EuroPride disa ditë para se tubimi panevropian ishte parashikuar të mbahej në Beograd. Ky njoftim ka nxitur kritika nga organizatorët e kësaj ngjarjeje dedikuar komunitetit LGBT.

Organizata “Krenaria e Beogradit” shkroi në Twitter më 13 shtator se policia serbe ka ndaluar marshin e sivjetmë të EuroPride-it dhe organizatorëve u është dorëzuar njoftimi zyrtar.

Por, kjo organizatë u zotua se do të përdorë “të gjitha rrugët ligjore për të shfuqizuar këtë vendim” me qëllim që të organizojnë Paradën e sivjetme të Krenarisë.

Ministria e Brendshme më vonë konfirmoi për REL-in se marshi i EuroPride – i paraparë të mbahej më 17 shtator në Beograd – është ndaluar. Po ashtu është ndaluar mbajtja e një kundërproteste të paralajmëruar në po të njëjtën ditë.

Ministria tha se ka “rrezik të lartë të sigurisë për pjesëmarrësit, por edhe për sigurinë e qytetarëve të tjerë”. Kjo ministri shtoi se pas një vlerësimi të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se mbajtja e një marshi të tillë do të “paraqiste rrezik për dhunë, shkatërrim të pronës dhe forma të tjera të prishjes së rendit publik në një shkallë të gjerë”.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shtoi se “në situatën aktuale gjeopolitike dhe tensionet në rajon, përplasjet e pakuptimta në rrugët e Beogradit do të bënin që pozicioni i shtetit tonë të ishte më i vështirë dhe do të vinin në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në marsh, por edhe të qytetarëve të tjerë”.

Ndalesa për mbajtjen e marshit vjen disa ditë pasi protestuesit kundër Paradës së Krenarisë marshuan në Beograd. Protesta u organizua nga grupet e të djathtës ekstreme, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Tensionet në Serbi janë rritur qëkur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, muajin e kaluar bëri thirrje për anulimin e EuroPride-it.

Por, organizatorët e kësaj ngjarjeje thanë se do ta mbajnë atë dhe e nisën Javën e EuroPride më 12 shtator, duke vendosur flamujt me ngjyra të ylberit. Kjo ngjarje kaloi pa asnjë incident.

Pas njoftimit për ndalimin, gjatë një konference në Beograd, ku mori pjesë kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq – e cila është lezbike – disa protestues kërkuan nga ajo që të mbahet marshi.

“Është e drejta juaj bazike njerëzore”, u përgjigj Bërnabiq, kur protestuesit brohoritën “Na lini të marshojmë të shtunën”.

EuroPride promovon krenarinë e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve në nivelin panevropian, dhe që nga viti 1992 organizohet nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit.

Zjarr Tv Ad