Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj dhe ish-kryetari i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Eduart Sharka, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv situatën e bujqësisë në vendin tonë. Rrapaj tha se një pjesë e mirë e shqiptarëve, sidomos pjesa vitale e shoqërisë po largohen nga vendi.
“Një pjesë e mirë e popullsisë, sidomos ajo vitale, po largohen nga vendi. Shqipëria në Europë ka tokën bujqësore më të vogël për banorë. Ana tjetër, një pjesë e mirë e tokës në situatën ku jemi, ka probleme për kultivimin sepse konjuktura e çmimeve dhe probleme të krizës bënë që një pjesë e tokës të mbetet e papunuar.”-tha Rrapaj.
Ndërsa Eduart Sharka deklaroi se tokat kanë mbetur të papunuara sepse bujqësia në vendin tonë nuk kompetitive dhe s’ka interes për ta punuar, pasi prodhimet e fermerëve nuk shiten.
“Instrumenti që paraqet Rama është antikushtetues. E drejta e pronës, është e drejtë kushtetuese. Nuk është rritja e taksës zgjidhje për të detyruar fermerin të punojë tokën. Politikat e qeverisë janë të gabuara. Kur fermeri prodhon dhe nuk ka shitje, s’ka interes. Kur s’ka subvencione e ndihma nga shteti s’mund të detyrosh fermerin të punojë tokën.”-tha Sharka.