SHBA: Irani po lëviz drejt bisedimeve për programin bërthamor

0
1

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se Irani mund të jetë më afër një mundësie për bisedime të reja rreth programit të tij bërthamor. Deklarata vjen edhe pse Teherani njoftoi se ka ndërprerë edhe disa angazhime që ia kërkon marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Duke folur të premten në Londër, Esper tha se së shpejti mund të ketë vend për bisedime mbi programin bërthamor dhe raketor të Iranit përcjell rel. “Duket se Irani, në njëfarë mënyre, po lëviz drejt atij vendit ku mund të bisedojmë. Shpresoj se do të luajë në atë drejtim”, tha Esper në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbrëtërore.

Irani dhe fuqitë botërore kanë arritur një marrëveshje në vitin 2015, në bazë të së cilës Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga kjo marrëveshje, duke thënë se nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm sa për të penguar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.

Që atëherë, Uashingtoni ka vënë sanksione të ashpra mbi ekonominë e Iranit, ndërsa ky i fundit ka nisur të shkelë kufizimet e përcaktuara me marrëveshjen bërthamore.

SHBA-ja do marrëveshje të re dhe, këtë javë, Trump foli për mundësinë e një takimi me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Por, Rohani, më herët, e ka përjashtuar një mundësi të tillë, ashtu si edhe atë për negocimin e një marrëveshjeje të re bërthamore.