SHBA “mbështet rikthimin” e Kosovës dhe të Serbisë në dialog

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Kosova ka braktisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pa e përmbushur obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke iu vënë taksë mallrave të importuara nga Serbia, duke miratuar një platformë për negociatat dhe duke formuar ushtrinë. Vuçiç i bëri komentet në një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare është dashur të merret më herët me problemet që kanë çuar në ndërprerjen e dialogut, në veçanti me përpjekjet për të shfuqizuar taksën mbi mallrat serbe.

“Nuk jam optimist, por nëse Prishtina e tërheq taksën, Serbia është e gatshme të bisedojë”, tha Vuçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Scott, në anën tjetër, tha se SHBA-ja e mbështet rikthimin te dialogu dhe se është e domosdoshme që të gjenden mënyra për vazhdimin e tij.

“Është interes i përbashkët i Serbisë dhe i Kosovës, si dhe i komunitetit ndërkombëtar që të arrihet kompromisi”, tha Scott.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit të kaluar. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën, ndërsa Vuçiç ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë pa u hequr taksa.

Thirrje për heqjen e kësaj tarife kanë bërë vazhdimisht edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara.

 

Zjarr Tv Ad