Shembja e një ure të improvizuar në Laknas, ka sjellë shqetësim të madh te banorët e zonës, të cilët për t’u lidhur me Valiasin, fshat ku janë edhe fëmijët në shkollë, nga 5 minuta tashmë iu duhet më shumë se një orë.
Jo vetëm fëmijët e shkollave kanë probleme, por bëhet fjalë dhe për kalimin e qindra punëtorëve të fasonerive, që tashmë do t’iu shtohen kostot e transportit.
Banorët thonë për Fax News se në urën që dje u shemb tërësisht, ka pasur një sërë incidentesh, ndërkohë që vazhdimisht iu është premtuar ndërtimi i saj, qoftë nga deputetja e zonës Elisa Spiropali, qoftë nga kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli.
“Përshëndetje, që në demokraci në 90 e këtej nuk është bërë asnjë lloj investimi, e kemi mirëmbajtur vetëm ne si banorë. Tani që ura është shkëputur është që të kalojmë në një rrugë shumë më larg për ti çuar në shkollë.
Ia kemi thënë deputetes së bashkisë zonjës Spiropali, kryetarit të Bashkisë Rakip Suli, na kanë premtuar dhe për momentin nuk kanë bërë asgjë.
Janë 3 vdekje që kanë ndodh, vetëm për shkak të urës”, u shpreh një prej banorëve, ndërsa të tjerët zbulojnë peripecitë.
“Tani na duhet që të zgjojmë fëmijët që në 6 e gjysëm, që ti çojmë në shkollë, edhe punëtorët, duhet të kalojmë nga Kamza që të shkojmë në Valias që e kemi 5 minuta larg”, shprehet një tjetër prej banorëve.
Ata thonë se edhe para shembjes totale të urës, që ka ndodhur pas shirave të djeshëm, gjendja e saj ka qenë e amotrizuar, dhe përbënte rrezik për sigurinë e personave që kalonin lumin.
“Na kanë thënë që do ta rregullojnë dhe nuk ka ardhur asnjë njeri që të shohë. Mendimi jonë është të kërkojmë një takim me kryetarin e bashkisë që të na japë një zgjidhje, ne me forcat tona nuk mund ta ndërtojmë nga e para, se për të mirëmbajtur e kemi mirëmbajtur”, tha një tjetër prej banorëve.