Shkencëtarët kanë gjetur prova se mutacionet e koronavirusit tregojnë se patogjeni mund të jetë duke u përshtatur tek njerëzit pas “kalimit” nga lakuriqët, shkruan The Guardian.
Analizat e më shumë se 5300 gjenomëve të koronavirusit në 62 vende tregojnë se ndërsa virusi është mjaft i qëndrueshëm, disa kanë fituar mutacione, përfshi dy ndryshime gjenetike që ndryshojnë ‘proteinën kyçe’ që virusi përdor për të infektuar qelizat njerëzore.
Studiuesit në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër theksojnë se është e paqartë se si mutacionet ndikojnë te virusi, por pasi ndryshimet u shfaqën në vende të ndryshme, kjo mund të ndihmojë që virusi të përhapet më lehtë, raporton abcnews.al
Mutacionet “e proteinës” janë shumë të rralla për momentin, por Martin Hibberd, profesor i sëmundjeve infektive dhe autor kryesor i studimit, tha se shfaqja e tyre thekson nevojën për një mbikëqyrje globale të virusit në mënyrë që ndryshimet shqetësuese të kapen në kohë.
“Kjo është ajo për të cilën duhet të kujdesemi tani,” tha Hibberd. “Njerëzit janë duke prodhuar vaksina dhe kura të tjera kundër proteinës që infekton qelizat njërëzore, sepse duket një objektiv shumë i mirë. Ne duhet të kemi vëmendje të sigurohemi që çdo mutacion nuk e zhvlerëson asnjë prej këtyre qasjeve”.
Studimet e virusit zbuluan që herët se forma e proteinës i lejon virusit që të lidhet me qelizat njerëzore në mënyrë më efikase se SARS, një virus që shkaktoi epideminë e vitit 2002. Ky dallim mund të ketë ndihmuar që koronavirusi i ri të përhapet me shpejtësi rreth botës.
Shkencëtarët duhet të fillojnë të shqetësohen nëse shfaqen mutacione të gjera tek proteina, jo vetëm sepse kjo ndryshon mënyrën se si vepron virusi. Kjo proteinë është objektivi kryesor i vaksinave në të gjithë botën, dhe nëse ato pësojnë mutacione të mëdha, vaksina mund të mos funksionojë. Edhe ilaçet e tjera të mundshme, të tilla si antitrupat sintetikë që futen tek proteina, gjithashtu do bëhen më pak efikase, raporton abcnews.al
“Ky është një paralajmërim i hershëm”, tha Hibberd. “Edhe nëse këto mutacione nuk janë të rëndësishme për vaksinat, mutacionet e tjera mund të jenë dhe ne duhet të vazhdojmë mbikëqyrjen tonë, kështu që të mos prodhojmë një vaksinë e cila funksionon vetëm për disa variacione”.
Muajin e kaluar, një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve përdori analiza gjenetike për të treguar se koronavirusi ka të ngjarë të kishte origjinë nga lakuriqët dhe nuk kishte dale nga një laborator siç kanë pohuar disa teoricienë.