Shkoi të filmonte kandidatin Memolla në Rrogozhinë/ Kërcënohet grupi i xhirimit të “Syri TV”, shoqërohen dy persona

0
311
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekipi i xhirimit të televizionit “Syri” është kërcënuar nga dy shtetas gjatë zhvillimit të një kronike, një javë para ripërsëritjes së zgjedhjeve.

Policia njofton se ekipit të xhirimit iu kërkua nga dy persona që të mos filmonin lokalin, duke theksuar se është ambient privat.

Blutë bëjnë me dije se kanë marrë dëshmitë e pjesëtarëve të ekipit të xhirimit dhe kanë shoqëruar 2 shtetasit e përfshirë në ngjarje me iniciale A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç.

Ndërkohë, “Syri TV” pretendon se ekipi i xhirimit është kërcënuar pasi ka dashur të raportonte se kandidati i PS-së Edison Memolla kishte shtruar një drekë në lokalin e tij në Rrogozhinë, për mësues, mjekë, punonjës të ndryshëm të administratës.

“Syri TV” pretendon se kjo gjë ka ndodhur nga mbështetësit e kandidatit Memolla.

Njoftimi i plotë i policisë:

Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë.

Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.

Zjarr Tv Ad