Shoqata e ndërtuesve: 10 këshilla si të kursejmë dhe të bëhemi milionerë

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lutfi Dervishi

Letër e hapur drejtuar qeverisë shqiptare

Të shqetësuar nga situata e krijuar dhe të tronditur kur shohim se qeveria po vret mendjen ditë e natë si të kursejmë kudo dhe në çdo gjë e pamë të udhës të ofrojmë përvojën tonë modeste në kursim, kursim që, për hir të transparencës që nuk na ka munguar, ne na ka kthyer në milionerë.

Ndryshe nga kursimet e gjirokastritëve që me kursim nënkuptojnë “shtrëngimin e rripit” dhe groposjen e lekut shtatë pashën nën dhé ne mendojmë se kursimi duhet të ndjek modelet e sukseshme.

Ne mendojmë se është koha të tregohemi të mençur dhe të shfrytëzojmë këtë krizë, ashtu si kemi shfrytëzuar edhe krizën e tërmetit apo krizën e Covidit.
Përvojën tonë ne po e ndajmë miqësisht me ju, të nderuar qeveritarë.

Ne nuk jemi kundër këshillave për të hapur dhe mbyllur frigoriferin brenda 2 sekondave, për të larë rrobat me 30 gradë, për të bërë dush njëherë në javë apo për të hequr një vakt ushqim nga tryeza. Këto këshilla i gjejmë me shumë vend, por është koha që gjithsecili, dhe këtu nuk kemi parasysh vetëm individë, por edhe sektorë të ekonomisë, duhet të vrasin mendjen si të kursejnë dhe të pasurohen në të njëjtën kohë.

Ne si shoqatë ndërtuesish kemi arritur që edhe me ndihmën e qeverisë, që me thënë të drejtën na ka dhënë një dorë kur kemi dashur dhe ka mbyllur një sy e një vesh sa herë ka dashur- të kursejmë dhe të bëhemi milionerë në të njëjtën kohë.

Për shembull. Ne kemi arritur të shesim ajrin, me po atë çmim që shesim edhe sipërfaqen e banimit apo biznesit. Këtë “ajër” ne e quajmë “sipërfaqe e përbashkët”. Asnjë vend në botë nuk bën atë që kemi bërë ne: kemi shpikur shitjen e sipërfaqeve të përbashkëta. Përtej modestisë që e kemi natyrë të dytë kjo është gjeniale. Qytetari/klienti në kontratën e parë blen edhe sipërfaqe të përbashkët. Në kontratën përfundimtare që finalizohet me hipotekë kjo sipërfaqe avullon.

Pra ne kemi marrë lekë, me thënë të drejtën miliona euro dhe për këto nuk kemi paguar asnjë taksë. Ndihemi pak keq për këtë veprim ndaj shtetit, por tani që erdhi kriza ndihemi edhe pak krenar që kemi vënë pak dhjamë mënjanë.

E dyta: Ju si qeveri, për arsye që i dini ju dhe nuk ka arsye t’i dimë edhe ne të tjerë, menduat që pas tërmetit, me anë të një VKM na ngarkuat ne si ndërtues të paguajmë një siguracion 10 vjeçar që do t’ia jepnim në dorë blerësit. Ne e pamë të arsyeshme që në bashkëpunim me noterët dhe në mirëkuptim të plotë të ministrisë së Drejtësisë këtë pagesë, dikush padrejtësisht e quan gjobë t’ia ngarkojmë blerësit. Deri më tani janë nja 10 milionë euro që kanë marrë dy kompani sigurimi. Ky sigurim nuk mbulon asgjë. Por jemi të qartë që edhe të tjerët do të bëhen milionerë.

Ne nuk hetojmë, nuk jemi ziliqarë apo dyshues se pse të tjerët bëhen milionerë pa bërë asgjë. Por gjejmë rastin edhe njëherë të falenderojmë nxehtësisht, qeverinë dhe kryeministrin për VKM, Ministrinë e Drejtësisë për mirëkuptimin, Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare për punën e mrekullueshme që po bën, dhe pa dyshim edhe shoqatën e Noterëve që i kanë bërë një interpretim shumë krijues ligjit. Ju sigurojmë që qëllimi final është arritur: ato dy “sigurues” po i marrin milionat e eurove të premtuar. Ne këtu gjejmë rastin të denoncojmë me forcë zërat që thonë se ligji i bërë është kapje e qartë e shtetit nga dy-tre persona, se noterët kanë shkelur ligjin etj etj etj. Pallavra! Ne jemi absolutisht të kënaqur me interpretimin krijues që i kemi bërë këtij ligji dhe jemi absolutisht të përkushtuar për shtetin ligjor!

E treta: Ne kemi kursyer shumë sidomos me katet e para. Nëse leja, ta zemë, na është dhënë për 9 kate, në katet e para dhe të dyta, i ndërtojmë dy fish të larta dhe pastaj i ndajmë. Kjo është vetëm e vetëm për të qenë në rregull me ligjin. Meqë katet e para kanë çmime të larta se janë ambiente biznesi, kreativiteti ynë ka shkuar deri aty sa edhe parkimet i kemi kthyer dhe shitur si ambiente biznesi.

E katërta: E pranojmë që jo gjithmonë kemi qenë në respekt të ligjit. Jemi absolutisht mirënjohës ndaj policisë, prokurorisë dhe qeverisë për mirëkuptimin e plotë dhe të thellë për këtë çështje. Problemi i ndërtimit të kateve pa leje, sidomos në kullat në Tiranë, na ka gjetur edhe ne të befasuar.

Ta dinim që do të shqetësoheshit aq shumë, nuk do t’i kishim bërë, por duke besuar se në kohë krize duhen ca të ardhura më shumë, menduam se fitojmë ne, fiton blerësi, por fiton edhe shteti, se diçka paguajmë edhe ne. Nëse shqetësimi juaj për këtë probleme do të zgjaste tri ditë ju betohemi me dorë në zemër se vetë ne “oligarkët” siç na quan media apo “klientët e qeverisë” siç na thotë opozita, do të merrnim kazma e qysqi dhe do t’i shembnim me duart tona katet pa leje. Madje me duart tona mund t’i venim dinamitin. Në këtë kontekst vlerësojmë shumë ndërhyrjen tuaj te policia dhe prokuroria që për një moment menduan se ju e kishit seriozisht që ne do të përballeshim me ligjin.

E pesta: është një taksë që ndërtuesi duhet ta paguajë në bashki. Edhe këtë taksë në kontratë bashkë me noterët ja kemi kaluar klientit. Deri më tani nuk kemi patur asnjë ankesë sepse siç e thotë edhe At Zef Pllumbi: “Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë nuk flet…”

E gjashta: Keni nxjerrë një ligj për sipërfaqe të përbashkëta. Nuk kemi asgjë kundër. Detyra juaj është të nxirrni ligje. Nuk ndërhyjmë aty. Detyra jonë është të bëjmë interpretimet e duhuara. Ne me kontratë (në bashkëpunim të ngushtë me noterët) sipërfaqet e përbashkëta ja kemi kaluar vetes. Këto sipërfaqe janë minierë floriri sepse përdoren për bar – kafe dhe restorante.

E shtata: Prej vitesh keni miratuar ligj, VKM dhe rregullore për menaxhimin e sipërfaqeve të përbashkëta. Keni falenderimet tona për këtë, por mendojmë se jeni lodhur kot. Ne, pasi ndërtojmë dhe shesim, kemi marrë përsipër edhe të bëhemi administratorë të pallateve që shesim. Sot, në kohë krize po e kuptojmë që kemi vepruar drejt.

E teta: Kjo është çështje e ndjeshme sepse ka të bëjë me cilësinë. Ka shumë ankesa për cilësinë. Në pamje të parë duket se ka të drejtë blerësi, por po ta shohësh në kompleksitet, është krejt e kundërta. Ne mund të kishim bërë pallate me sistem kapotë që kursen energjinë në dimë dhe në verë, ne mund të kishim bërë ndërtime më cilësore, por kjo do të bllokonte industrinë e ndërtimit, se psh për të njëjtën sipërfaqe në vend që të blihen pllakat apo parketi dy herë siç blihet tani (njëherë nga ne ndërtuesit dhe pas disa muajsh edhe nga klienti që me dëshirën e tij vendos t’i ndërrojë), do kishim situatën ku do të investoheshin më pak lek në ndërtim.

E nënta: Gjejmë rastin të falenderojmë qeverinë dhe agjencinë që lufton pastrimin e parave dhe skuadrën “antikorrupsion” në ministrinë e Drejtësisë, për qëndrimet mjaft bujare në sensibiltet me hallet tona. E kemi përshëndetur në heshtje dhe e quajmë mbështetje shumë të madhe idenë e aministisë. Ashtu si për revolucionet që flitet shpesh dhe përmendet edhe revolucioni permanent, ne sugjerojmë që të ketë një amnisti permanente.

E dhjeta: Ju, sërish me të drejtën që ju ka dhënë Sovrani, keni bërë një ligj para disa vitesh që 3% e sipërfaqes së ndërtimit t’i kalonit për banesa sociale. E çmojmë shumë amendimin e fundit që ky 3% duhet të jepet vetrëm për hapësirën mbi 2000 m2, por jeni munduar kot. Asnjë cm nuk kanë marrë banesat sociale. Nëse jeni interesuar për detaje se si ka ndodhur kjo ne mund t’u dërgojmë një raport të hollësishëm. Gjejmë rastin t’iu falenderojmë se sa herë kemi patur nevojë për pak toke publike kudo që ajo ka qenë, por sidomos në parqe, ju na jeni gjendur, na keni respektuar dhe na e keni dhënë dhe besojmë se ua kemi kthyer shumë fish.

Në fund na lejoni t’iu shprehim edhe një shqetësim. Kemi dëgjuar, por besojmë se është thashethem, apo si i thonë sot “fake news” se po përgatitet një kontratë tip mes ndërtuesit dhe blerësit, që merrka parasysh interesat e dy palëve dhe qenka në përputhje me legjislacionin vendas dhe praktikën më të mirë të vendeve të BE-së. Ne nuk e kemi zakon të kërcënojmë, por nëse kjo gjë është e vërtetë, gjë që nuk e besojmë, po ua bëjmë të qartë se 10 këshillat tona për kursim dhe pasurim në të njëjtën kohë, i merr edhe lumi i Lanës. Mendojeni mirë se vetë e kenië thënë se dimrat që kemi përpara do të jenë të vështirë.

Me bindjen e thellë se në këtë vend sundon ligji dhe vetëm ligji ju lutem pranoni sigurimet e konsideratës tonë më të lartë

Shoqata e Ndërtimit

Tiranë 16.09. 2022

Zjarr Tv Ad