Shorti i Champions-it shkakton frikë jo vetëm në Mynih, Nagelsman: Asnjë nga kampet nuk dëshiron përplasje të tillë

0
143
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kualifikimi në raundin me eliminim direkt nga Bajerni, duke arkëtuar maksimumin e pikëve, bën që të gjitha klubet, të cilat synojnë trofeun “veshëmadh” fillimisht duhet të gjejnë formulën se si të thyejnë bavarezët e pandalshëm. Forma e mirë në javët e fundit është pasqyruar edhe në Bundesligë, pavarësisht se ende ndodhen në pozitën e ndjekësit, pasi Unioni mban vendin e parë me 26 pikë, 1 më shumë se gjigantët nga Mynihu.

Nagelsman ka kryer detyrën e zakonshme në prag të takimit të sotëm përballë Hertës në transfertë, duke prekur pika të caktuara në konferencën për shtyp si rikthimi i Nojerit, gjendja e Sanesë, mungesa e Mylerit, Herta e deri te frika ndaj Liverpulit në lidhje me shortin në Ligën e Kampionëve.

RIKTHIMI I NOJERIT- ”Nëse gjithçka shkon mirë edhe në seancën e fundit stërvitore, me shumë mundësi do të jetë në fushë sot. Shpatulla e tij ka reaguar pozitivisht, çka na jep siguri se ai nuk ka gjasa të vuajë ndonjë problem të ri”, citonte 35- vjeçari gjerman.

GJENDJA E SANESË DHE HERNANDEZ- ”Lukas dhe Leroi janë rikthyer në ekipin e parë, por nuk mund t’ju them me siguri nëse do ta nisin nga pankina apo do të luajnë thjesht rolin e spektatorit”.

MUNGESA E MYLERIT DHE DE LIGT- ”Të rrezikosh në një moment të tillë është gabimi më i pafalshëm për çdo trajner, aq më pak kur ‘Kupa e Botës’ është te dera. E tillë është edhe situata e Matajs dhe Mylerit. Dyshes i nevojitet ende kohë për t’u riaftësuar plotësisht, çka nënkupton se në takimin tjetër mund të jenë jashtë, jo vetëm të Hertës”, nënvizonte me nota të qeta ish-trajneri i Lajpcigut.

KUNDËRSHTARI- ”Sandro Shvarz i pëlqen të aplikojë një skemë me intensitet të lartë, e përkthyer me dyluftime të forta në mesfushë. Sigurisht ata do të duan të bëjnë lojën e tyre, por ne e kemi objektivin e qartë, fitoren dhe ruajtjen e formës së mirë”, tha gjermani.

RREZIKU “LIVERPUL- ”Do të pajtohesha me çdo kundërshtar në raundin tjetër në Champions. Por të jem i sinqertë asnjëri prej të dyja kampeve nuk do të dëshironte përplasje të tillë direkt në këtë raund. Gjithsesi, ka ende kohë deri të hënën dhe akoma më shumë deri në zhvillimin e fazës me eliminim direkt”.

KONTRATA E MOTING- ”Jam shumë i zënë me përditshmërinë në lidhje me seancat stërvitore dhe skemat e aplikuara në to dhe nuk jam marrë në lidhje me detaje individuale, siç është rasti i rinovimit me Erikun. Kjo është detyra e Salihamixhiçit dhe ai e di shumë mirë kur është momenti i duhur për të vepruar në çdo situatë. E vetmja gjë që mund të shtoj në një diskutim të tillë është të pohoj se jemi me fat që kemi në gjirin tonë një sulmues si Moting dhe çdo javë po e vërteton se përse është lojtar i Bajernit”, përfundoi Julian.

PANORAMASPORT.AL

Zjarr Tv Ad