Partia Demokratike ka ftuar diasporën që ti bashkohet protestës së opozitës të organizuar më 12 nëntor. Ne një deklaratë për mediat, Sekretari për Diasporën në PD, Indrit Hoxha thotë se Rama e ka degraduar Shqipërinë në gradën më të ulët.
Protesta e 12 nëntorit tha Hoxha është një përpjekje për t’i dalë zot Shqipërisë dhe atdheut tonë të përbashkët.
Teksa drejton gishtin nga qeveria, Hoxha thotë se në 7 vjet, 750 mijë bashkëkombas kanë marrë rrugët e botës.
“Kohët e thërrasin sërish shqiptarin e Diasporës që të frymëzojë, të ndihmojë, të jetë në krah të vendit të të parëve.
Me këtë thirrje ju drejtohem sot shqiptarëve kudo janë: në Itali, Greqi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjermani, Kanada, Zvicër, Austri, Francë dhe deri në Australinë e largët.
Protesta e 12 nëntorit është një përpjekje për t’i dalë zot Shqipërisë, atdheut tonë të përbashkët të ngecur në darët e një pushteti që e sheh shtetin dhe arkën e tij si plaçkë për t’u grabitur, pasi janë vjedhur zgjedhjet dhe manipuluar vullneti i lirë i shqiptarëve.
Suksesi i qeverisë Rama ka qenë i qartë në mbrapshtinë e tij: e ka degraduar Shqipërinë në gradën më të ulët: në 7 vjet, 750 mijë bashkëkombas kanë marrë rrugët e botës.
Partia Demokratike i ka të qarta rekordet e saj. Vetëm në periudhën 2009-2013 janë kthyer në vend 134 mijë shqiptarë të Diasporës.
Dua t’ju bëj thirrje sot nga kjo foltore t’i bashkoheni protestës së 12 nëntorit.
Nëse qëlloni në Shqipëri apo nëse jeni afër, dhe i keni mundësitë ekonomike të vini.
Nëse jo merrini në telefon të afërmit tuaj, ftojini të na bashkohen të shtunën!
Ne e duam Diasporën, por kur ajo bëhet më e madhe se vendi amë, ai vend është në rrezikun e zhdukjes.
Pa Shqipërinë dhe njerëzit e saj, ne bëhemi një komb i shpërngulur, endacak, i pakrye.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka besim të plotë se angazhimi i diasporës në ringjalljen e frymës opozitare dhe shpëtimin e demokracisë së saj është një gur themeli për Shqipërinë dhe ka një rol themelor për të ardhmen. Shqipëria ju thërret”, theksoi Hoxha.