Shqipëria përtej propagandave

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Artan Fuga/

Ajo që bie në sy në Shqipërinë e vitit 2021 janë një sërë dukurish të reja të paparashikuara më parë edhe nga skenarët më të këqinj që mund të mendoheshin njëzet ose tridhjetë vjet më parë.

Mbi të gjitha unë veçoj faktin që një pjesë e konsiderueshme e elektoratit dhe e qytetarëve shqiptarë, e cila nuk e gjen veten të përfaqësuar as nga deputetët e të gjitha krahëve të sallës të Kuvendit, as nga partitë politike, as nga qeveria, pra që ose e ndjen veten të përjashtuar nga shoqëria e sotme, ose refuzon të pranojë integrimin e saj në sistemin ekonomik dhe politik të sotëm.

Të zhytur në ngjarjet kalimtare dhe gjoja të bujshme të ditës, të dhënë pas frazave pa asnjë përmbajtje që deklarohen lartë e poshtë, pas ndodhive të jetës së përditshme, politikanë të ndryshëm nuk arrijnë ta shohin këtë fakt madhor sociologjik:

Qytetarët në një masë të madhe ndjehen të përjashtuar në vendin e tyre. Kush do të donte fakte madhore që vërtetojnë këtë le të shohë ikjen nga sytë këmbët nga vendi e mijëra të rinjve dhe e dëshirës të dhjetëra mijëra të tjerëve që synojnë ta bëjnë këtë.

Kjo duket në abstenimet e një pjese shumë të konsiderueshme të zgjedhësve, të cilët as nuk denjojnë të marrin pjesë në votime, si edhe atyre që marrin pjesë nga detyrimet, nga presioni, si edhe nga fakti që vë në dukje opozita se mijëra e dhjetëra mijëra vetë shesin votën.

Por, ata e shesin votën jo vetëm sepse nuk besojnë se zgjedhjet do t’u sjellin ndonjë gjë të mirë, por sepse nuk kanë besim te politika, duke përfshirë edhe opozitën. Përndryshe kurrë në botë nuk do të josheshin nga pesë lekë për t’i ndërruar ato me të ardhmen e tyre.

Cfarë tregojnë fjalët e pjesëmarrësve në atë që po quhen « foltore » të iniciuara nga Sali Berisha jashtë dhe kundër lidershipit të sotëm të partisë demokratike ?

Ata i bashkon aty fakti se janë krejt të pakënaqur dhe të paplotësuar nga së paku tre faktorë që do të duhej të ushtronin kontrollin social ndaj tyre. Së pari, ata shprehin neverinë e tyre për qeverimin e sotëm të vendit, sepse janë papunë, janë të varfër, janë të përbuzur dhe të fyer prej nëpunësve dhe politikave në fuqi. Por, së dyti, çka është më e rëndësishme akoma, ata janë të pakënaqur nga partia demokratike si parti e deklaruar formalisht si opozitare.

Mos harrojmë se janë kryesisht një popullsi që ka votuar opozitën e sotme, por nuk e beson më lidershipin e saj. Nuk po hyjmë nëse kanë ose jo të drejtë te ky qendrim mosbesues, por te fakti real që shprehet aq masivisht.

Po të shohim pak në detaje atë që ndodh në salla do të vemë re se ata që janë aty, hiq pak ish pak drejtues të kaluar, masivisht përbëjnë shtresat më të dëmtuara ekonomikisht dhe politikisht nga tranzicioni i stërzgjatur shqiptar.

Së treti, kjo pjesë e popullsisë që merr pjesë në foltore nuk pret në afatshkurtër ndonjë ndihmesë praktike nga partnerët ndërkombëtarë të vendit, fatkeqësisht, dhe në krahasim me njëzet a tridhjetvjet më parë, nuk u drejtohet më atyre për t’i ndihmuar të rifitojnë të drejtat e tyre.

Kjo është shumë e rëndë dhe mund të ketë pasoja agravuese nëse thellohet në të ardhmen. Kjo dukuri që ishte e kundërta 30 vjet më parë ku do të shkojë 30 vjet më pas?

Unë jam i sigurt se ato popullësi nuk janë as antieuropiane dhe as antiamerikane.

As antiperëndimore. Për një mijë arësye. Por, që shprehin një qendrim jo aprovues ndaj shpalljes non ngrata të liderit që ata i besojnë dhe ndaj vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar atë nga grupi I deputetëve, kjo nuk diskutohet.

Është detyra e shoqërisë që këtë element sado anësor ta kuptojë, ta reflektojë thellë duke ndërtuar ato politika që realizojnë integrimin gjithmonë e më të plotë të vendit në kampin euroatlantik. Carja e ndodhur, askush mos habitet, po të maiset, mund të thellohet edhe mlë tej. Rreziku qendron.

Në këtë mënyrë, kjo pjesë e përjashtuar nga shoqëria e sotme në planin politik dhe ekonomik, përbën një problem, që e theksoj prej vitesh. Kjo pjesë e shoqërisë është jashtë kontrollit social që politika ka detyrë ta realizojë nëse funksionon si duhet.

Pa shkuar në “Bermude” politika shqiptare, qeveria dhe opozita, në vend të luajnë ping-pong parlamentar, duhet të pranojnë se janë ato që e kanë nxjerrë jashtë kontrollit këtë pjesë të shoqërisë shqiptare. Nesër ajo strukturohet në parti politike, ndikon zgjedhjet dhe krejt modelin politik të vendit gjithçka mund të ndodhi pa e parashikuar dot.

Askush të mos kujtojë se këto procese që dalin jashtë kontrollit të politikës mund të parashikohen se çfarë drejtimi mund të marrin. Askush nuk është në gjendje të parashikojë me besim në veten e tij. Kjo pjesë e shoqërisë nuk ndikohet as nga ligjërata analistësh në studio, as nga narcizimi personal i shprehur në intervista hipokrite i ish qeveritarëve qofshin këta ish presidenta apo ish kryeministra, as nga opinionistë, as nga gallata parlamentare, as nga deklarime diplomatësh, sepse sikurse e thashë, ata janë jashtë cdo kontrolli politik.

Nuk ka mekanizma që mund ta kontrollojë këtë pjesë të shoqërisë. Ajo nuk merr rroga në shtet që mund t’ja presësh, nuk ka të afërm në administrate që të mund t’u bësh presion, nuk kanë biznese që t’u çosh tagrambledhësin, nuk bredhin për turizëm andej këndej për t’I bërë presion me viza, dhe kështu me rradhë.

Por risia nuk është fakti që kjo shtresë e gjerë dhe masive e shoqërisë ekziston.

As që ajo neverit si qeverinë ashtu edhe opozitën e sotme. Problemi është se kjo pjesë e shoqërisë, e përjashtuar nga integrimi social, e lënë pas dore, e braktisur, e fyer, pa shpresë sot për sot nga opozita, ka gjetur aktualisht një lider që edhe ai u përjashtua nga politika parlamentare e partisë së tij. Unë nuk do t’I hyj këtu shkaqeve të këtij përjashtimi, sepse nuk jam I zoti të flas pa njohur rrethanat, por kjo ka pak ose aspak rëndësi në analizën sociologjike që unë bëj.

Rëndësi ka fakti madhor: Segmentet e braktisura të shoqërisë, shtresat e përjashtuara nga shoqëria e sotme, në një masë të paneglizueshme, po mbushin sallat e politikanit të përjashtuar. Masat e foltoreve dhe lideri i tyre po gjejnë solidaritet te fakti i përjashtimit të tyre në nivele dhe për arsye të ndryshme nga lidershipi i sotëm qeveritar dhe opozitar.

Në këtë mënyrë, këto shtresa të gjëra shoqërore që deri dje ishin pa zë politik, për arsye aksidentale, kanë gjetur një zë që artikulon qëndrime dhe ide të cilat gjejnë përkrahës. Unë nuk e di sa do të vazhdojë kjo gjë, as se deri ku do të shkojë, as se çfarë ndikimesh do të ketë kjo lëvizje mbi politikën shqiptare. Këtë, pavarësisht parashikimeve që unë bëj, do ta shohim hap pas hapi. Por, këtu nuk është çështja të bëjmë parashikime, por të analizojmë sa më objektivisht dhe shkencërisht atë që po ndodh sot.

Ka shumë shanse që nesër veç elektoratit që e gjen veten në partitë e establishmentit parlamentar, të hyjë në politikë radikalisht edhe pjesa e shoqërisë që ndjen braktisje dhe që deri tani është “pa gojë”. Çfarë mund të sjelli kjo? – atë ta shohim.

Por që do të ketë një radikalizim të politikës, këtë nuk e diskutoj. Qysh tani po strukturohet ideja e protestave të ardhshme masive që nëse kuptohet sensi ideologjik i shprehur nga njerëzit në foltore, parashikojnë protesta masive. Mos do të ridali vërtetë kësaj here politika nga sallat e Kuvendit në sheshet publike? Mos do të dali energjia opozitare nga mitingjet hipokrite? Mirë që do të dali, por deri ku do të shkojë?

Ka pasur një teoricien të politikës, që pastaj është cituar dhe përvetësuar nga politikanë të rëndësishëm të shekullit të XX, i cili thoshte se situatat tronditëse për një tip shoqërie, situatat përmbysëse, nisin atëherë ku pak a shumë plotësohen tre kushte të domosdoshme.

E para, kur klasa politike sunduese nuk qeveris do si më parë si pasojë e krizës që ka mbërthyer vendin.

E dyta, kur një pjesë e klasës politike sunduese, si pasojë e kontradiktave brenda saj, shkëputet prej saj dhe iu drejtohet shtresave të margjinalizuara të shoqërisë.

E treta, kur këto masa që vuajnë nga kriza ekonomike dhe politike, kanë arritur në pikën ku nuk mbajnë më, dhe pasi gjejnë zëdhënësit e tyre politikë, hyjnë në politikë me një fuqi që trondit establishmentin politik.

Edhe njëherë unë e them që nuk parashikoj dot se çfarë do të ndodhë, por që këto rrethana janë krijuar aktualisht në shoqërinë shqiptare, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Një situatë e tillë ka ndodhur në vitin 1997 për arsye dhe rrethana krejt të tjera.

Por, çfarë rëndësie kanë specifikat e sotme! Është vështirë të dihet se Sali Berisha do të jetë i detyruar të ndjekë presionin dhe energjinë e këtyre shtresave për t’u kontrolluar prej segmenteve më të revoltuara të tyre, apo ai do të arrijë t’i kanalizojë ato në modelin institucional politik shqiptar – kjo mbetet për t’u parë hap pas hapi. Por, problemi mbetet i hapur.

Ndërkohë ka ndodhur edhe një proces tjetër. Për herë të parë, debatet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili vazhdon të ketë një boshllëk legjitimiteti dhe besueshmërie nga ana e qytetarëve, ndikohen nga foltoret. Foltoret përbuzin Kuvendin, Kuvendi në debatet midis opozitës dhe qeverisë, përbuz foltoret.

Kjo e fundit është krejt e pagjetur. Por, shihet se ajo që ndodh në Kuvend këto dy javë është krejt një “përkthim” dhe e ndikuar prej asaj që ndodh në foltoret.

Mjafton një llogari elektorale të bëjmë dhe kjo gjë kuptohet se përse ndodh. Sikur nesër të kryheshin zgjedhjet lokale, Lulzim Basha nuk do ta përballonte dot Edi Ramën sepse do të kishte mangët të gjitha ato vota që do ia merrte Sali Berisha.

Prandaj ballanca e pushteteve nëse kushtet mbeten të njëjta luhet pikërisht në ato foltoret për të cilat shprehen me përbuzje dhe neveri politike lidershipi i qeverisë dhe i opozitës. Mirëpo aty ka qytetarë që kanë të drejtë vote.

Nga foltoret Edi Rama është bërë si aktor ex katedra, pra që duket si arbitër mbi palët. Mban ligjërime që më shumë i ngjajnë një presidenti ose një mbreti që gjykon në parlament partitë politike, kurse Lulzim Basha është radikalizuar në ligjërime, por mbetet i pabesueshëm për shtresa të gjëra të shoqërisë.

Ai ka vështirë të jetë i besueshëm. Propozon një reformë zgjedhore, por sa vlerë ka një reformë zgjedhore tani disa muaj pas zgjedhjeve ? është betejë pasi lufta ka mbaruar!

A mund të besohet që sikurse u gris marrëveshja e 5 qershorit 2021, nuk do të grriset edhe ky ligj i ri elektoral nëse votohet? Taulant Balla po e grish opozitën në komisionin e reformës elektorale sikurse grishet një “armik” në një terren djerr. Elektorati sot nuk mendon për zgjedhjet e ardhëshme. Nuk është kjo axhenda e tij, sado që duket e rëndësishme një reformë elektorale. Po ashtu një komision për zgjedhjet e 25 prillit është një contradictio in adjecto. Eshtë një paradoks.

Opozita sipas saj e ka provuar vjedhjen e zgjedhjeve, atëherë çfarë komisioni dëshiron për hetimin e tyre? Zgjedhje të certifikuara nga faktori ndërkombëtar.

Zgjedhjet janë vulosur, dhe prandaj ajo që ka vdekur nuk mund të ngjallet. Po aq sa solli pozitive denoncimi i vjedhjeve të votave në Dibër disa vite më parë, a nuk do të jetë e pabesueshme të sjellë gjë denoncimi i sotëm në vendin dhe kohën e gabuar?

Ndërkohë që sallat po mbushen në cdo qark nga militantët e saj të pakënaqur, lidershipi i partisë demokratike, drejtuesit dhe deputetët, merret me analizën e zgjedhjeve të kaluara. Ka një konfuzion në agjendën e tij politike.

Kur ishte ende e ngrohtë çështja e zgjedhjeve, lidershipi i partisë demokratike merrej me atë se kush do të zgjidhej kryetar i partisë.

Kurse tani që është beteja se kush do të marrë postin e kryetarit të partisë, lidershipi demokrat merret me zgjedhjet e kaluara dhe të ardhshme parlamamentare. Jo me çështjen që shtron koha aktualisht.

Zjarr Tv Ad