Shqipërinë e ‘sundojnë’ ata që as i ka zgjedhur e as i ka votuara njeri- ‘SPAKistanianët’?!

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Kim Mehmeti

Forca shtetbërëse e një populli nuk matet vetëm nëpërmjet nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, por mbi të gjitha me atë sa ai mund e di të ndërtojë shtet të së drejtës, pra shtet institucional ku ligji do vlejë njësoj edhe për të pushtetshmin e të pasurin edhe për të pambrojturin dhe skamnorin.

Vlerësuar nga ky këndvështrim, Shqipëria nuk ishte mjaftueshëm shet as në kohën e Partisë së Punës kur ekzistonte thuajse vetëm sa të kishte Enveri ku ta burgoste popullin e vet si dhe ku të vriste e dhunonte kënd të donte. Edhe atë jo vetëm pse nuk kishte ligj mbi vullnetin e tij, por pse elitat e shqiptarisë – njësoj si sot gjatë regjimit të Piktorit – e mbanin kokën te prapanica dhe shtireshin se nuk e dëgjojnë piskamën e fatkeqve.

Shqipëria nuk ia doli të konsolidohet si shtet institucionalë dhe i së drejtës as tri dekada pas rënies së komunizmit, duke mbetur kështu atë që ishte edhe në kohën e Enverit: shtet që i takon partisë, me popullin në të që i shërben sunduesit.

Dhe duke qenë shoqëri e cila nuk pati guxim të përballet me të shkuarën e vet komuniste, Shqipëria shumë shpejtë ra në duart e pasardhësve të ‘xhelatëve’ që e mbajtën gjallë regjimin më antishqiptarë – atë të Enverit.

Ndërkohë, të huajt, mbase edhe gabimisht, nisën të besojnë se Shqipëria nuk ka potencial të mjaftueshëm shtetformues, andaj duhej atë bërë ‘protektorat’, por të një lloji krejt tjetër.

Duke e ditur se shtetin e drejton ai që i kontrollon ‘peshoret’ e gjyqësorit, të huajt vendosën që mëmëdheut tonë t’ia reformonin drejtësinë dhe kështu atë ta ‘pushtonin’ nëpërmjet SPAK-ut.

Dhe më në fund Shqipëria u bë ‘Spakistanë’ me në krye Piktorin, pra u bë shtet ku askush nuk e dinë nëse prokurorët dhe gjykatësit mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe nëse kryehajdutët e ‘Rilindjes’ e kontrollojnë SPAK-un, apo SPAK-u i kontrollon ata.

Por ku megjithatë shihet qartë se ‘SPAKistanianëve’ u është dhënë urdhër të mos merren gjithaq me bërjen e Shqipërisë shtet të së drejtës, por me pastrimin e saj nga ‘plehu’ politikë i tridhjetë viteve të fundit edhe atë, duke i mbyllur sytë përpara ‘aleancës së qelbësirave’, duke i lënë pra të qetë kryehajdutët e ‘Rilindjes’, ata që Shqipërisë ia harxhuan të ardhmen duke e bërë të pabanueshme për brezin e ardhmërisë.

Dhe mbase Shqipëria edhe nuk mund të arrinte më larg se aty ku ndodhet sot me ne të cilët – si edhe gjatë dekadave enveriste – u mbetëm besnikë partive dhe pushtetarëve, por jo edhe shtetit e popullit, me ne që dëshmuam sa nuk e kemi kuptuar se demokracia është përrallë e bukur për t’i vënë në gjumë fëmijët nëse ajo shërben për t’u pasuruar pushtetarët për të cilët nuk vlen gjë ligji.

Me ne pra që tri dekada me radhë shtireshim se nuk e dinim që aty ku askush nuk mbanë përgjegjësi për keqqeverisjen dhe ku nuk ka moral, nuk të vlen gjë ligji dhe vota, se demokraci është edhe kur dy budallenjtë e mbivotojnë një të mençur, por jo edhe kur një votues ‘kushton’ më lirë se një dele.

Dhe duke qenë se thuajse të gjitha ua lamë në duar hajdutokratëve, të cilët ditën na zhvatnin e natën e rrënonin Teatrin Kombëtarë dhe mbëmendjen kolektive për të shkuarën e shqiptarisë, ne edhe jemi bashkëfajtorë pse mëmëdheun tonë sot e ‘sundojnë’ ata që as i ka zgjedhur, e as i ka votuara njeri – ‘SPAKistanianët’?!

Pra të gjithë ne jemi fajtorë pse edhe sot, njësoj si në kohën e Enverit, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë ndjeheni si popull pa mëmëdhe!

Zjarr Tv Ad