Kjo është shtëpia e Aldie Balit, në Farkë të Vogël të Tiranës.
Ajo mori çelësat personalisht nga Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me 26 dhjetor të vitit të shkuar.
Në këtë inaugurim, kamerat e Bashkisë përçuan imazhe mbresëlënëse për godinën e sapondërtuar në shtëpinë që familja humbi nga ngjarja e 26 nëntorit të vitit 2019.
Por pa u mbushur ende tre muaj, ndërtesa nuk ruan më atë pamje të servirur për mediat nga Kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës, dyshemeja mbulohet nga lagështia.
Zonja e shtëpisë tregon si ndryshoi shtëpia në kaq pak kohë.
“Duhet të ishte mbushur me granil, ka vetëm mbetje që i hidhnin nga suvatimi”, thotë ajo.
Në fakt e keqja sapo ka nisur për familjen Bali.
Zonja Aldie tregon se si muret janë mbushur me polisterol, material që përdoret për termo-izolim.
Për rastin ajo është ankuar edhe në njësinë administrative.
“Është tulla, buka e peshkut dhe suvatimi. Kam qenë në komunë dhe i kam thënë administratorit, më ka thënë do ta rregullojmë. Deri sot asgjë nuk është bërë”, tregon ajo.
Imazhet që u publikuan nga autoritetet me 26 dhjetor nuk kapën hapësirën, e cila është lënë e pambaruar nga ndërtuesit.
Madje Veliaj përpara kamerave në inaugurim tha se familja kishte edhe pamje soditëse para shtëpisë, por në fakt banorët nuk kanë as kanalizime të ujërave të zeza.
“Dalin ujërat atje në fund dhe më hyjnë brenda në shtëpi”, vazhdon rrëfimin Aldie Bali.
Më e keqja është s’e themelet e ndërtesës, nuk japin asnjë garanci për sigurinë.
Tani kjo familje, ka në pronësi vetëm letrat e strehës së premtuar, të para 3 muajve ku Edi Rama dhe Erion Veliaj mburren me shtëpinë e tyre “të ëndrrave”.