Shtyrja e rezultateve të Censusit, Bozdo: INSTAT të ofrojë shifrat e vërteta, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 35% gjatë kësaj dekade

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të drejtua nga “Rithemelimi”, Eno Bozdo ka dhënë një deklaratë për mediat, ka folur në lidhje me regjistrimin e popullsisë dhe mos publikimin e rezultateve nga INSTAT.

Bozdo shprehet PD i bën thirrje INSTAT që të ruajë integritetin dhe profesionalizimin duke ofruar shifrat e vërteta.

Sipas tij, të dhënat zyrtare të BE tregojnë së afër 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi, ndërsa vetëm 10 vitet e fundit popullsia e vendit tonë është reduktuar me 35%.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, ENO BOZDO:

Në kulmin e debatit publik mbi censusin në Shqipëri, lajmërimi i INSTAT se rezultatet nuk do të mund të shpallen përpara qershorit, është një kambanë e fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që qeveria do të na servirë.

Censusi i fundit ne Shqipëri është mbajtur në periudhën tetor -dhjetor 2011. Brenda tetorit 2011 përfundoi procesi i numërimit dhe të dhënat paraprake u shpallën zyrtarisht ne dhjetor 2011. Pra, vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.

Në Shqipërinë e vitit 2024, të dhënat janë mbledhur në shtator 2023 dhe rezultatet do të shpallen në qershor 2024. Pasi kemi numëruar me sukses 10 milionë turistë, e paskemi shumë të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në këtë vend!

Censusi i fundit në Shtetet e Bashkuara, me popullsi rreth 340 milionë banorë, filloi në janar 2020 dhe rezultatet paraprake u shpallën në tetor 2020. Censusi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe rezultatet u shpallën në maj 2021. Censusi i fundit ne fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut, me popullsi të afërt me ne, filloi në shtator 2020 dhe rezultatet u shpallën në mars 2021.

Vonesa e pajustifikuar ne shpalljes së rezultateve të censusit në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, nga qeveria Berisha, këto rezultate u shpallën brenda 3 muajsh, hedhin dyshime të forta mbi shifrat që qeveria do të na servirë, veçanërisht mbi temën më të nxehtë, atë të braktisjes masive të vendit në dekadën e fundit.

Të dhënat zyrtare të BE tregojnë se afro 1 milionë shqiptare janë larguar nga vendi. Informacionet paraprake që vijnë në rruge informale tregojnë se edhe censusi i fundit konfirmon këtë fakt, se në Shqipëri jetojnë vetëm 1,8 milionë banorë, nga 2,8 milionë banorë që jetonin në vitin 2011. Po këto të dhëna informojnë se presioni politik mbi INSTAT është shumë i fortë për të fshehur të vërtetën e tmerrshme të braktisje së Shqipërisë.

Partia Demokratike i bën thirrje INSTAT që të ruajë integritetin dhe profesionalizmin duke na ofruar vetëm shifrat e vërteta.

E vërteta është se popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 35% gjatë kësaj dekade. Se shqiptarët prej vitesh tejkalojnë edhe sirianët në kërkesat e tyre për azil. Rama e di dhe e nxit këtë fakt. Politikat e tij ekonomike dhe sociale janë të tilla që u krijojnë shqiptarëve pamundësi jetese me dinjitet brenda vendit. Arsimi dhe shëndetësia janë në kolaps. Për rendin dhe sigurinë, mos pyet. Droga dhe krimi janë zotër të ekonomisë.

Administrata sa vjen dhe fryhet për të siguruar votat e zgjedhjeve të radhës. Sektori i vetëm që lulëzon është betonizimi me financimin e parave të drogës. Opozitës, e vetmja që ngre fort zërin, i është mbyllur cdo derë ligjore për të kontrolluar qeverinë. Lideri i saj është i arrestuar dhe mbahet i izoluar pa asnjë prove edhe pse SPAK ka katër vite që e heton.

Në këtë kontekst,shkaktar i zhbërjes së Shqipërisë është Rama. Shkaktari duhet vënë përpara përgjegjësisë morale, poltike dhe ligjore.

Prandaj në këto rrethana kaq të rënda, opozita do të vazhdojë qëndresën e saj pa asnjë kompromis dhe aksionin e saj opozitar deri në fund. Eshtë përgjegjësi e opozitës, e Partisë Demokratike, të ekspozojmë të vërtetën dhe tu bëjmë thirrje shqiptarëve se duhet, o sot o kurrë, bashkimi në një front të vetëm i të gjithë atyre që duan që Shqipëria të mos zhbëhet por të zhvillohet, që shqiptarët mos punojnë për mirëqenien e vendeve të tjera, por mundin dhe djersën ta derdhin për vendin e tyre.

Të mos harrojmë se Rama është i përkohshëm, por Shqipëria e përjetshëm.

Prandaj O Sot, O kurrë, për Shqipërinë tonë!

Zjarr Tv Ad