Në një mbledhje rutinë mëngjesin e 11 janarit 2018 në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë, diskutimet u ndërprenë kur fjalën e mori një mjeke nga shërbimi i Neonatologjisë, e cila iu drejtua e shqetësuar ish drejtorit Arben Rugia.
“Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, po na vdes çdo ditë nga një fëmijë,” tha mjekja neonate, duke shtangur kolegët e saj. “Është e pamundur të punojmë në këtë situatë,” shtoi ajo, përpara se të ndërpritej nga Rugia, i cili e këshilloi që kjo bisedë nuk mund të bëhej në mbledhje.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga dita e Krishtlindjeve 2017 deri më 15 janar 2018, 11 foshnja të lindura ‘premature’ humbën jetën në këtë spital universitar. Në përgjigjen zyrtare, materniteti “Koço Gliozheni’ pranoi se gjysma e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar, nëse spitalit nuk do t’i mungonin aparaturat e nevojshme mjekësore.
“Në më shumë se 50% të rasteve [që ndërruan jetë në fillim të janarit] bëhet fjalë për shtatzani shumë të vogla, për të cilat ne nuk kemi teknologji të përshtatshme për të siguruar mbijetesën,” tha spitali në një përgjigje me shkrim.
Në këtë maternitet ka një mungesë të theksuar inkubatorësh dhe shumica e inkubatorëve ekzistues janë jashtë funksionit. Pjesa e mbetur mund të përballojë vetëm gjysmën e pacientëve të vegjël që kanë nevojë për terapi intensive – një situatë e cila vazhdon prej vitesh, ndërkohë që Drejtoria e Spitalit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr ndaj kërkesave të vazhdueshme të mjekëve.
“Ka të paktën 15 vite që në këtë shërbim nuk është bërë asgjë, vetëm ca prekje të vogla. Ministria i di të gjitha dhe jo vetëm kjo ministri, por të gjithë… pasi ky është një problem që vazhdon prej vitesh,” tha Edi Tushe, shefi i shërbimit të Neonatologjisë në “Koço Gliozheni”.
“Edhe ato aparatura që kemi janë shumë të vjetruara në teknologji. Duhet të kesh mik ndonjë ministër apo dikë tjetër të rëndësishëm në qeveri që t’i lutesh e të sjellin ndonjë gjë për spitalin,” shtoi ai, duke nënvizuar se stafi i mjekëve dhe i infermierëve po i rrudhet çdo ditë nga dorëheqjet për shkak të kushteve ‘të papranueshme’ të punës.
“Koço Gliozheni” nuk është i vetmi maternitet në Shqipëri që ka mungesë inkubatorësh, mjekësh dhe pajisjesh të tjera mjekësore, jetike për mbijetesën e foshnjave të lindura me probleme. Të dhënat e siguruara nga BIRN dhe intervistat me mjekë dhe drejtues në spitalet rajonale, tregojnë që e njëjta situatë alarmante është e përhapur në të gjithë Shqipërinë, e cila në vitin 2016 regjistroi për herë të parë në dy dekada, rritjen e vdekjeve tek fëmijët nën moshën 1 vjeç.
Vdekje të paralajmëruara
Shifrat e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Vlerësimit të Vdekshmërisë Foshnjore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri ka pasur 6.2 vdekje për 1000 fëmijë të lindur në vitin 2017 – vendi i dytë pas Maqedonisë për vdekshmërinë foshnjore në rajon.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, vdekjet e fëmijëve nën 1 vjeç në Shqipëri u rritën me mbi 19 për qind gjatë vitit 2016, duke shënuar edhe rritjen e parë në dy dekada të këtij treguesi. Gjatë vitit 2016, 277 fëmijë nën 1 vjeç humbën jetën nga 233 vdekje të tilla që qenë shënuar në vitin 2015. Përgjatë 2017-ës janë shënuar 248 vdekje nën 1 vjeç përkundër 30,869 lindjeve të regjistruara.
Pjesë e kësaj tabloje të zymtë statistikore janë edhe 11 foshnjat që humbën jetën në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ në fillim të vitit 2018. Dy mjekë që ishin të pranishëm gjatë mbledhjes së 11 janarit dhe folën në kushtet e anonimatit, i thanë BIRN që numri i lartë i vdekjeve për një kohë aq të shkurtër e kishte tronditur stafin mjekësor të spitalit.
“Sapo dolëm nga mbledhja u interesuam se çfarë kishte ndodhur dhe morëm vesh që 24-orëshin e fundit kishin ndërruar jetë dy foshnja dhe 10 në total për 10-ditëshin e parë të janarit,” tha një mjek gjinekolog me 15 vjet eksperiencë. “Ishte vërtet tronditëse,” shtoi ai.
Një mjek tjetër i shërbimit të gjinekologjisë shpjegoi që në shërbimin e Neonatologjisë në atë periudhë kishte më shumë pacientë se inkubatorë, ‘kështu që bëheshin edhe lidhje dyshe’ të foshnjave në pajisjet mjekësore jetike për mbijetesën e tyre.
“Unë kam 10 vjet që punoj aty dhe nuk ka ndodhur kurrë një situatë e tillë, ishte vërtet absurde, edhe pse fëmijët, sipas asaj që mësuam, ishin të gjitha lindje me problem,” tha ai. “Më besoni, që për një mjek është dëshpëruese të punojë në një situatë të tillë.”
Në një përgjigje të detajuar për BIRN, maternitetin ‘Koço Gliozheni’ u ankua se nga 24 inkubatorë që i duhen, ka vetëm 6 në funksion. Por inkubatorët nuk janë të vetmet pajisje mjekësore që i mungojnë shërbimit të Neonatologjisë të këtij spitali. Mungesa ka në ventilatorë, pulsoksimetër, pompa infuzive, laringoskopë dhe një listë të gjatë pajisjesh të tjera, të cilat janë të nevojshme për të trajtuar foshnjat e lindura me probleme. Edhe ato pak pajisje që janë funksionale, janë të vjetra dhe të amortizuara, kushte që sipas mjekëve kërcënojnë seriozisht shërbimin ndaj pacientit.