SI MË SE NJË HERË: A KISHA PARALAJMËRUAR SE SI DO TË FUNKSIONONTE “VETTINGU” ? LE TA GËZOJNË TË DYJA PARTITË “E MËDHA” !
Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim – gabimisht – se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e “fitores” së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj. Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese. Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.
Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si “Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese”, më sak të emërtuar “Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit” i 28 shkurtit 1933, akt i ngjashëm si dy pika uji me “vettingun” shqiptar. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut – pra me t’u gjetur shkasi – dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit. Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i “shtetit të masave të jashtëzakonshme”: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë “armiq” të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike.
Nëpërmjet kësaj teknike “shteti i masave të jashtëzakonshme” zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin “armiq” në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si “armiq të regjimit”. Si të tillë, “armiqtë e regjimit” do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe “sovraniteti popullor” kishte mbetur një fjalë goje.
Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojtur shtetin normativ. Të tjerë u lavirën duke u treguar të paqëndrueshëm. E shumta rezultuan të pakurajë, e mbyllën gojën me würstel dhe e shuan etjen me birrë të zezë.
Nga: Si e bëri “vettingun” Adolf Hhitleri ose mbi “shtetin e dyfishtë”, hashtag.al 17 shkurt 2017