Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë pas largimit të Listës Serbe nga institucionet vendase si dhe qëndrimet e mbajtura nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në Twitter, Rama thotë se mbështet thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, autoritetet e Kosovës kanë të drejtë të kenë rezerva për Asosacionin e Komunave Serbe, por situata e krijuar mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE.
Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG.
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!