Juristi Sokol Hazizaj ishte i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Abc News ku foli për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Altin Dumani u zgjodh me pesë vota kundrejt Edvin Kondilit që mori 4 vota dhe Adnan Xholit me një votë. Sipas juristit, procesi i zgjedhjes së kreut të ri kishte një gabim kushtetues.
“Mendoj që ka një vëmendje të shtuar të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht ambasadës amerikane dhe për shkak të kësaj do të thosha që sot nuk u vure që në zgjedhjen e drejtuesit të ri, ka një gabim kushtetues. Po të shikoni nenin 148, zgjedhja e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP.
Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me shumicën, nëse 5 është shumica e 11…Ka disa nocione të përgjithshme ku përmasat vendosen ose me numrin e të pranishmëve ose me numrin tërësor të organit. Në rastin konkret, kemi me numrin e anëtarëve të KLP, që përcaktonte numrin 11.
Dhe kur nuk është 11, duhet krijuar 11 për të marrë 5 vota. Mua, të paktën më prezumon që kjo nuk ka refleksione pozitive për të ardhmen.“, u shpreh ai gjatë intervistës.
Kush është kreu i ri i SPAK?
Altin Dumani njihet si një nga prokurorët që ka hetuar dosjet më të nxehta në Shqipëri. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhër arreste ndërsa u arrestuan 9 prej tyre. Ndërsa 18 të tjerë, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja, por edhe një avokat, janë shpallur në kërkim. Katër nga grupet kriminale operonin në Elbasan, një në Durrës dhe tre të tjerë në Tiranë.
Altin Dumani njihet edhe si prokurori i SPAK që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë.