Një ngjarje e paprecendentë ka ndodhur në Skrapar ku për shkak të bllokimit të buxhetit çerdhet, konvikti i nxënësve, shërbimi i pastrimit dhe shërbime të tjera janë mbyllur.
Këtë gjë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Skraparit Nesim Spahiu. Ai ka akuzuar Ministrinë e Financave se po mban të bllokuar politikisht 17 000 banorë të Skraparit duke i lënë ata pa shërbime, duke penguar veprimet financiare të Bashkisë Skrapar vetëm për qëllime elektorale.
Ndaj ai i ka bërë thirrje Ministres së Financave “të ndaloj një herë e më parë, këtë akt kriminal të bllokimit të buxhetit, të marri përgjegjësinë e saj ligjore për urdhrat e paprecedentë që dalin nga Ministria e saj për të ndaluar veprimet me Degën e Thesarit ndaj Bashkisë Skrapar”.
Njëkohësisht Spahiu i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj situate.
Në kundërshtim të plotë me çdo ligj, Ministria e Financave mban të bllokuar politikisht 17 000 banorë të Skraparit duke i lënë ata pa shërbime, duke penguar veprimet financiare të Bashkisë Skrapar.
Teatri i dirigjuar nga deputeti i Rilindjes Adnor Shameti për Bllokimin e Buxhetit, për të shkaktuar sa më shumë varfëri se “ashtu merret më kollaj vota” po lë, pa shërbime njerëzit hallexhinj, mbylli çerdhe, Konviktin e Nxënësve të Qytetit, Qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe, Muzeu, Sporti, Pallati i Kulturës etj. Por ky teatër për Bllokimin e Buxhetit, do t’i kthehet mbrapsht, pasi drejtësia vonon por nuk harron.
Për t’i paraprirë bllokimit të buxhetit, Bashkia Skrapar i është drejtuar Gjykatës Administrative Vlorë me Kërkesë Padi me objekt: “Sigurimin e Padisë” për vendimet e kundraligjshme. Gjykata ka dalë me vendim për “moskompetencë gjykimi” duke ja drejtuar çështjen Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Aktualisht, vendimi nuk është zbardhur kur ligji parashikon që këto çështje duhet të gjykohen brenda 5 ditëve për t’u paraprirë pasojave. Edhe sot që po flasim vendimi është i pazbardhur nga gjyqtari i çështjes, dikur këshilltar i Ramës në Zyrën Elektorale Vlorë.
Të ndodhur në këto kushte, Skrapari rrezikon të kthehet qëllimisht në Qytet ku sipas planit të socialistëve njerëzit duhet të largohen nga ky vend, e ta brakstisin atë se kështu e dashkërka Rilindja; Të varfër, pa kopshte, pa çerdhe e shkolla, pa shërbime etj.
Përplasja politike mes Partisë Socialiste dhe LSI-së në Skrapar bllokoi në dhjetor miratimin e buxhetit. Por një buxhet i miratuar nga këshilltarët e PS-së në janar të këtij viti konsiderohet i paligjshëm prej kryebashkiakut, i cili ka bërë padi në prokurori ndaj prefektit të Qarkut të Beratit, ndërsa pretendon se buxheti i miratuar flak në rrugë 148 punonjës.
Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu thoshte në padi se pas dështimit për të votuar buxhetin në dhjetor, prefekti Harilla Dafa duhej të njoftonte qeverinë për të shpërndarë këshillin, por ai ka mbledhur këshilltarët socialistë dhe ka votuar një buxhet të bashkisë pa qenë e pranishme në mbledhje administrata e kësaj të fundit.
Prefekti Dafa i tha BIRN se nuk kishte bërë shkelje dhe se mbledhjen e këshillit e kishte thërritur me kërkesë të kryebashkiakut. Bashkia e Skraparit u fitua nga koalicioni i madh mes PS dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2015. Kryebashkiaku u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim sipas marrëveshjes së koalicionit. PS ndërkohë ka marrë shumicën e Këshillit Bashkiak.
DEKLARATA E PLOTË E KRYEBASHKIAKUT TË SKRAPARIT
Me keqardhje njoftoj se sot, Bashkia Skrapar mbylli disa shërbime, si çerdhe, konviktin e nxënësve apo aq më keq Qendrën e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, Shërbimi i Pastrimit dhe gjithë shërbimet që kanë lidhje me bllokimin e veprimtarisë financiare në Degën e Thesarit.
Qeveria po e sheh gjithnjë e më shumë si armik çdo banor të Skraparit, duke e penguar atë të jetojë qoftë me 1/12 e Buxhetit Faktik të Realizuar në 2018 siç e parashikon ligji.
I bëj thirrje Ministres së Financave të ndaloj një herë e më parë, këtë akt kriminal të bllokimit të buxhetit, të marri përgjegjësinë e saj ligjore për urdhrat e paprecedentë që dalin nga Ministria e saj për të ndaluar veprimet me Degën e Thesarit ndaj Bashkisë Skrapar, pasi Bashkia Skrapar aktualisht nuk ka buxhet të miratuar sipas ligjit, por janë thjesht 4 fletë (edhe ato të falsifikuara) që për fat të keq ju i quani Miratim Buxheti, duke dhënë urdhër që ato të zbatohen.
Në këtë situatë të pazakontë për Bashkinë Skrapar, i bëj thirrje Kryeministrit të Vendit, të mos bëj sehirxhiun por të ndërhyj në zgjidhjen e kësaj situate, të ndërpres menjëherë këtë akt kriminal të ndërmarrë nga Ministria e Financave. Të shkarkoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë akt të paprecedentë.