Pedagogët mbeten të vendosur për ta çuar në një tjetër hap qëndresën e nisur prej muajsh për një trajtim më dinjitoz.
Ata do të presin deri në orën 16:00 të ditës së sotme për një përgjigje pozitive nga qeveria, në të kundërt do të ngujohen në ambientet e brendshme të një prej sallave të Universitetit Politeknik, në shenjë proteste për shurdhërinë ndaj të drejtave të tyre.
DEKLARATA
Nga Politekniku, aty ku janë mbledhur prej javësh në një qëndresë simbolike me shpresën për t’u dëgjuar nga autoritetet, Sindikata e Punonjësve në Universitete deklaroi vendimin për të nisur grevën e urisë, një hap të padëshirueshëm dhe unik të këtij lloji në botë.
“Nesër (sot) pasdite do të jetë diskutimi i fundit për këtë çështje. Enkas është lënë ora 16:00, sepse është mbyllja e orarit zyrtar qeveritar që t’i japë një rrugëzgjidhje situatës. Në këtë fazë, për dy-tri çështjet kryesore që i kemi kërkuar qeverisë, ata nuk janë përgjigjur pozitivisht. Ne do të mblidhemi këtu dhe do të vendosim përfundimisht nëse ka një përgjigje nga qeveria. Në bazë të saj, do të vendosim fiks si do të operojmë. Nëse nuk do të kemi diçka pozitive kemi gatishmërinë e një pjese të stafit që është i gatshëm të kalojë në grevën e ngujimit, si grevë simbolike, e padëshirueshme. Do jetë unike në botë që në grevë urie të futet personel akademik”, tha kreu i SPASHit, Sandër Kovaçi, në protestën e radhës të zhvilluar ditën e djeshme.
Bëhet fjalë për afro dhjetë pedagogë të universiteteve të ndryshme të vendit, të cilët janë shprehur të gatshëm ta çojnë deri në fund rezistencën e tyre për një arsim të lartë dinjitoz. Ata do të ngujohen në ambientet e brendshme të një prej sallave të universitetit ku protestuan për gati tri javë. Me gjithë kërkesat e njëpasnjëshme dhe letrat e hapura, sindikata nuk ka marrë asnjë sinjal nga qeveria, përpos statuseve në rrjete sociale, më tepër intimiduese sesa shpresëdhënëse për një dorë bashkëpunimi.
“NJOHIM VETËM 7% RRITJE”
Pavarësisht se qeveria proklamon shpesh një rritje pagash për pedagogët me 15%, gjysmën e së cilës ia ka faturuar universiteteve si faturë, sindikata nuk e konsideron fare. Për më tepër, nuk ka kurrfarë garancie që kjo masë do të vijojë. Dhe këtë e mbështet me shifra konkrete.
“Ne kemi njohur vetëm 7% si rritje. Universiteti i Tiranës ka rritur 8% vetëm për këtë periudhë dhe nuk ka asnjë garanci për vitin e ardhshëm. Kurse universitetet e tjera, si Politekniku, edhe ai gjatë kësaj periudhe, këtë tremujorësh, mund ta mbulojë me shumë vështirësi. Përveç mjekësisë, ndoshta ata kanë më shumë buxhet. Universitetet e tjera nuk kanë asnjë lloj mundësie për të arritur 8%-shin. Për shembull, rritja me 8% në Universitetin e Shkodrës do të kushtonte 200 milionë lekë, ndërsa të ardhurat vjetore ishin vetëm 100 milionë. Ne duhet të sigurohemi për 8% dhe për faktin që ai nuk merret nga buxheti i studentëve dhe nuk sjell ulje të investimeve në universitete. Dhe duhet të bëhet transparencë mbi shpenzimet”, nënvizon Kovaçi, duke shprehur rezerva mbi 8 për qindëshin ekstra që duhet të jepet nga IAL-të.
Edhe në rast se rritja totale prej 15% do të jepej nga vetë qeveria, ajo masë nuk i kënaq pedagogët, të cilët kërkojnë një vlerësim më dinjitoz. Së paku, të përafërt me ato të kolegëve të tyre në vendet fqinje. Një tjetër detaj që lë gjithashtu të pakënaqur sindikatën e punonjësve të universiteteve është mospërfshirja e stafit ndihmës akademik dhe punonjësve mbështetës.
“Në këtë 8% rritje nuk është përfshirë stafi ndihmës akademik dhe administrativ. Ata kanë paga aq të ulëta sa edhe 15% nuk i rrit asgjë. Ne kemi kërkuar që 30% i sivjetmë të jetë i plotë edhe për profesoratin dhe për stafin akademik dhe administrativ”.
Ndonëse është etiketuar si një protestë për pagat, ajo çfarë kërkojnë pedagogët është shumë më tepër se aq. Një financim më i lartë për universitetet, që ndonëse është rritur me përqindje të vogla, është sërish shumë larg premtimit të qeverisë për ta çuar atë në 5 për qind kur erdhi në pushtet.