Në një kohë kur Raporti i Progresit të BE lidhur me Shqipërinë nënvizonte më fort tri problemet më të mëdha të kësaj qeverie, korrupsionin e përhapur dhe nismat, “pasaportat e arta” dhe Amnistinë Fiskale, Zv.Kryeministrja Belinda Balluku është përpjekur t’i hedhë hi syve të opinionit duke lexuar variantin e saj të sukseseve, në konferencën e përbashkët me ambasadoren e Delegacionit të BE-së. Balluku tha se “Raporti rendit arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur në vitin 2022 pa lënë pas angazhimet tona. kemi të gjithë vullnetin që ta përshkojmë këtë rrugëtim sfidues.”
Pikërisht kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e deputetit të PD-së, prof. Edmond Spaho, që komentoi ironikisht më pas:
“Topi bam e Muçua tutje! – shkroi ai në Fb. – Kështu ngjet kur e lexon raportin me sytë dhe mendjen e Ramës. Fushat ku raporti kritikon rëndë qeverinë shqiptare janë korrupsioni dhe mos ndëshkimi i zyrtarëve të lartë; Amnistia fiskale e penale e cila nxit larjen e parave dhe rrezikun e financimit të terrorizmit; “Pasaportat e arta”, të cilat i hapin dyert krimit te organizuar dhe pastrimit të parave; Media, e kontrolluar nga qeveria dhe oligarkët e saj. Gazetarët janë nën presion dhe të kërcënuar.
Që të ecet me negociatat dhe hapjen e dy kapitujve të parë do të duhet të ndryshohet truni i qeverisë së paku në këto katër fusha. Në të kundërt, jo vetëm që nuk do të ecim përpara, por do të na vendosin regjimin e vizave,” ka paralajmëruar deputeti demokrat.