SPAK mbyll hetimet për “Xibrakën”: Nuk ekzistojnë prova apo fakte që lidhin Olsi Ramën me aktivitetin kriminal. Bardhi: Prokuroria nuk e hetoi fare

0
10
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet pas akuzave të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit se Olsi Rama ishte i përfshirë ne dosjen e “Xibrakës”.

SPAK thekson se nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë, gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.

Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.
Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit reagoi pas njoftimit të SPAK për çështjen “Xibraka”.

“Sapo u njoha me njoftimin që Prokuroria e Posaçme ka shpërndarë për media sa i takon çështjes Xibraka. Të jem i sinqertë nuk i besova syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar ishte thelbi i atij njoftimi në fakt qesharak të Prokurorisë, të cilin e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e mundshme të vëllait të kryeministrit Edi Rama në çështjen e laboratorit të Xibrakës.

Prokuroria njoftonte se kishte përfunduar hetimet për dosjen nr. 88 të vitit 2024 në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë të një njoftimi me pesë fjali thoshte se kam pezulluar hetimet dhe e kam dërguar dosjen e plotë që Policia e Shtetit “të bëjë përpjekje” për të identifikuar atë që fshehu para 10 vitesh.

E vërteta në fakt është krejt ndryshe. Prokuroria as ka hetuar dhe as ka kryer asnjë veprim hetimor për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar se kush janë personat e përfshirë, por deri tashmë të paidentifikuar.

Dhe njoftimi se njëri nuk është, por ne nuk e dimë kush janë në fakt është fiks logjika që përdori para 10 vitesh Policia e Shtetit, duke na thënë të gjithëve se kishte arritur të identifikonte moshën konkrete 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin. I kuptoj prokurorët e SPAK-ut sepse ndjehen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Edi Ramës. Por, ata nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharak për të na kthyer të gjithëve në vëmendje se të bërit qesharak në fakt e kanë metodë të punës së tyre.

Shqiptarët e mbajnë mend që i njëjti prokuror Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë dhe figurë dhe u tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhje në Elbasan në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi i tij për të amnistuar bandën në pushtet hasi në kundërshtimin e vetvetes vetëm 3 ditë më vonë kur në gjykatë me shkrim dhe zë deklaroi që po, në makinën e personave të përfshirë në atë ngjarje kriminale u gjetën materiale zgjedhore.

E në këto kushte duke përsëritur pas 4 vitesh veten, unë nuk kam asnjë mesazh më shumë përveçse për të ndjerë keqardhje që për shkak të presionit, për shkak të ndërhyrjes, për shkak të intimidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë por detyrohen të kthehen qesharakë. Personalisht e kam patur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin i pandëshkueshëm për shkak të pushtetit të të vëllait. Mirëpo prokuroria kishte shansin të na provonte që është e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë dhe të gjithëanshëm.

Unë sot do të ndalem vetëm në një fakt. Në seancën plenare të datës 4 prill 2024, ministri i Brendshëm i kohës Taulant Balla zyrtarisht deklaronte, informonte Kuvendin e Shqipërisë se ai kishte dijeni se kush ishte identiteti i personit të moshës 45 vjeç. Me zë dhe me figurë.

Pyetja ime për prokurorin Shehu sot është a e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur për informacionin që ai si Ministër i Brendshëm i përcolli Kuvendit të Shqipërisë që e njihte personin e moshës 45 vjeç dhe se nuk kishte asnjë me Partinë Socialiste apo Edi Ramën, por kishte lidhje me Partinë Demokratike. Mjafton ky fakt, vetëm ky, për të treguar që nuk ka pasur asnjë hetim, nuk ka patur asnjë veprim hetimor për të zbardhur të vërtetën.

Ka patur një tentativë për të bërë shqiptarët për budallenj sikur po hetohet, për të dalë sot me atë njoftim qesharak. Gjithësesi duke ripërsëritur qëndrimin tim se i kuptoj që janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharak. Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla, që në 5 rrjeshta të shkruara, fjalia e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë, apo ajo që thuhet në fjalinë e parë të jetë krejtsisht e ndryshme me atë që thuhet në fjalinë e pestë, apo qëndrime të tipit nuk e dimë kush është, por betohemi përpara Edi Ramës që Olsi Rama nuk është. Kaq për sonte, sepse sigurisht as nuk dekurajohemi, kësaj çështje do i shkojmë deri në fund, e vërteta siç doli në rastin kur prokurori Shehi gënjeu për ngjarjen e Elbasanit do të riumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë”, tha Bardhi.

Zjarr Tv Ad