Analisti Andi Bushati i ka cilësuar si “harbutëri dhe idiotësi” sulmet e Partisë Demokratike ndaj deputetit Agron Shehaj, i cili tashmë drejton Partinë “Mundësia”.
Shehaj pati një konflikt me Flamur Nokën në Kuvend, ku Sekretari i Përgjithshëm i PD, përdori edhe forcën për ta larguar nga foltorja, ku Shehaj po qëndronte duke kërkuar interpelancë për rrugën Thumanë-Kashar.
Bushati tha se PD merret me individin duke goditur në këtë mënyrë edhe kauzat e veta, siç është e drejta për interpelancë dhe komisionet hetimore, të cilat edhe PD-së i janë mohuar.
“Kam ngelur i skandalizuar nga harbutëria dhe idiotësia që ka treguar PD ndaj Agron Shehajt. PD tregoi një verbëri të një force politike që merret me personin dhe jo me idenë. Ai po këmbëngulte për një interpelancë dhe një parti që thotë nuk na japin interpelanca dhe komisione hetimore, në vend të solidarizohet, shkon bën sherr për protagonizëm. Opozitë më vetëshkatërruese, sikur ta paguajnë për ti bërë dëm vetes… Ishte një gjë që më ka pataksur”, tha Bushati.