Ministria e Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, reagon lidhur me situatën e krijuar në seancën e sotme parlamentare, ku deputeti demokrat Edi Paloka, hodhi bojë drejt Kryeministrit Edi Rama.
Në përfundim të seancës, ajo tha se, “Në protestën e së shtunës do ta kthejnë atë bojë në zjarr për të djegur vendin. sa herë që gjërat shkojnë mirë opozita gjen një mënyrë për të na turpëruar në sy të botës”.
Ajo bëri thirrje ndaj qytetarëve që të mos ndjekin shembuj të tillë por ti qëndrojnë besnikë Shqipërisë.
Sipas saj, të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten, “por shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre duke i flakur njerëz të tillë”.
Pak pas ngjarjes në parlament, Partia Demokratike sqaroi arsyen se pse deputeti demokrat qëlloi me bojë Kryeministrin, duke thënë se “Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajtja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”.