Kreu i SPAK, Altin Dumani ka prezantuar strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale.
Në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet elektorale të 11 majit, ai u shpreh se “Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrave”.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama është shprehur se “S’mund të survejohen partitë politike në fushatë zgjedhore”. Kjo deklaratë erdhi një ditë pasi SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme njoftuan ngritjen e seksioneve të posaçme “për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira”.
“Kemi bashkëpunim shumë të mire me zyrën e prokurorit të përgjithshme për krimin zgjedhor, kemi rënë dakord duke përcaktuar edhe mënyrën konkrete për trajtimin e rasteve sipas kompetencave.
Hetimi do kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit. Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo. Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësime e organizatave ndërkombëtare, të OJQ por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor”, tha Dumani.