Gazsjellësi Trans Adriatik TAP ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë që të licencohet në aktivitetin e transmetimit të gazit.
Vetëm pak ditë më parë, ERE hapi procedurën standarde për këtë licencim, i cili do të ketë një afat 25-vjeçar, ndërkohë që kompanisë së gazsjellësit ju kërkua që të paraqesë një sërë dokumentesh që do të plotësojnë edhe më tej dosjen e nevojshme për të përfituar licencën.
Referuar korrespondencës, ERE njoftoi se subjekti Trans Adriatic Pipeline AG, me shkresën Nr. 803 Prot, datë 24.12.2018 ka paraqitur pranë ERE-s, aplikimin për t’u pajisur me licencë në aktivitetin e Transmetimit të Gazit Natyror. Më herët, TAP është certifikuar si operator i pavarur i transmetimit të gazit natyror, ashtu sikurse e kërkon kuadri ligjor.
“Nga vlerësimi paraprak që iu bë dokumentacionit të depozituar në ERE nga TAP Ag., në bazë të “Rregullores për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e licencave në sektorin e Gazit Natyror”, subjekti ka plotësuar kryesisht dokumentacionin për aplikim.
Fillimi i procedurës për shqyrtimin e kërkesës për licencim të TAP AG ka për qëllim vazhdimësinë normale të punës në tregun e gazit natyror të këtij subjekti.
Nga ana tjetër i gjithë procesi i shqyrtimit të këtij aplikimi do të kryhet në përputhje me “Rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e licencave në sektorin e Gazit Natyror”, thuhet në vendimin e ERE-s.
Projekti i gazsjellësit TAP është një nga investimet më të rëndësishme që ka prekur territorin shqiptar.
Ai do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km).
Pika më e lartë është afërsisht 2,100 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa më e ulëta do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik.
Gazsjellësi do të transmetojë gaz nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan drejt Europës.
Secili nga vendet ku kalon gazsjellësi mund të shfrytëzojë avantazhet që i jep ky investim lidhur me shfrytëzimin e gazit sipas marrëveshjeve mes palëve/Monitor