Te gjitha rrugët të çojnë te Rama – Nga Ilir Gjini

0
337
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeskandali më i madh korruptiv, ai i inceneratorëve që do digjte mbetjet apo plehrat urbane, por që ka djegur me shumicë vetëm para publike, rrezikon të djegë ose më mirë të përvëlojë gjithë qeverinë Rama. Sa më shumë hapen petët e këtij “byreku korruptiv” aq më shumë çudira e personazhe të korruptuar dalin në skenë. Ajo që të habit, është arroganca e gjithë administratës për të shkelur me të dyja këmbët ligjin, pa iu dridhur fare qerpiku.

Ku e gjejnë gjithë këtë kurajo për të shkelur haptaz ligjin? Kuptohet te mbrojtja e vazhdueshme që kryeministri i bëri këtij projekti skandaloz edhe kur media dhe opozita e paralajmëruan mbarë opinionin publik për këtë gropë financiare që po gllabëronte paratë publike, si dhe te fakti që duke parë se të gjitha pushtetet janë te PS dhe Rama, besuan se nuk do t’i gjente gjë.

Mirëpo përmasat e skandalit dhe të fakteve qenë kaq të rënda, sa me gjithë cic-micet e zvarritjet katërvjeçare të SPAK për ta fragmentizer skandalin, falë gazetarëve kurajozë që publikonin përditë faktet, si dhe këmbenguljes së opozitës, kemi disa persona para bankës së të akuzuarve, që janë vetëm maja e këtij ajsbergu gjigant korruptiv.

Në perceptimin publik të gjitha qeveritë e tranzicionit të gjatë postkomunist, shihen si të korruptuara. Por kjo qeveri dhe ky projekt ka një ndryshim të madh nga të mëparshmet. Nëse në qeveritë e mëparshme bëheshin tendera ku edhe futej ndonjë llokmë në xhepat e qeveritarve, po në fund kishim një vepër publike, tani kemi vetëm para me thasë të harxhuara dhe nuk kemi asgjë funksionale, madje as godinë si te inceneratori fantazëm i Tiranës.

Për shembull, u fol për vjedhje në “Rrugën e Kombit”, madje u akuzua edhe Luli Basha, ministër asokohe, po e kemi “Rrugën e Kombit”. Ndërsa sot në vend të inceneratorëve, kemi vetëm disa dokumenta e kontrata dhe disa pronarë në kërkim e disa ministra që dridhen nga frika e burgut. Madje njëri prej tyre, që shkaktoi “tërmet” në fitoren e bashkisë së Dibrës, doli fytyrë prishur para gazetarëve, sikur po paralajmëronte “tërmetin” e radhës, po që këtë herë mund të jetë një tërmet 7 ballësh që mund ta shkatërojë gjithë ngrehinën e Rama-Guvernës.

Nëse shikon hetimet e SPAK për Ahmetajn akuza thotë se projekti qe i paligjshëm që në nisje. Natyrshëm lind pyetja: nëse ky projekt ishte i paligjshëm, po kryeministri që e firmosi në fund a ka përgjegjësi? Media e paralajmëroi, ndërsa ai me arrogancë çoi gjithë grupin parlamentar te inceneratori i Elbasanit si “investim strategjik” suksesi. Në fakt rezultoi një kazan me naftë që nuk ndizet.

Prokurorët e SPAK, as që kanë guximin për ta investiguar deri në fund këtë aferë. Ata do mjaftohen me ata të “deklasuar” që i largon nga radhët e saj partia. Kështu ndodhi me Lefter Kokën, me Alqin, e së fundi me Arbenin. I mënjanon partia, pastaj vepron Drejtësia. Kështu bënte edhe shoku Enver kur “zbulonte” “grupet armiqësore”.

Kjo aferë që kundërmon erë, me kujton nje barcoletë të “zgjuarsisë” së shqiptarit. Një inxhinier shqiptar emigroi në Itali dhe u punësua në një firmë ndërtimi. Pas disa kohësh e pyet pronarin italian: Si e vure gjithë këtë pasuri?

-Po ja, e shikon këtë autostradën këtu? E bëra një centimetër më pak nga projekti – i tha italiani.

Pas disa vitesh italiani biznesmen viziton Shqipërinë i ftuar nga ish i punësuari i tij. Shqiptari qe bërë i pasur dhe italiani i çuditur e pyet: Si u bëre i pasur, ti para disa vitesh ishe trokë?

– E shikon atë rrugën aty?

– Nuk po shohë gjë rrugë – tha italiani.

– Duhet të ndërtoja një rrugë, po nuk e bëra fare. Futa paratë në xhep – u përgjigj shqiptari.

© Ilir Gjini

Zjarr Tv Ad