Të martën vendimi për hapjen e negociatave, kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar udhëtojnë sot drejt Brukselit!

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama, së bashku me delegacionin shqiptar, do të udhëtojë sot drejt Brukselit për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas votimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, përfaqësuesit e vendeve anëtare do të mblidhen për t’i hapur rrugën çeljes së negociatave për 2 vendet tona. Delegacioni përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës, që janë kyçë në procesin e integrimit, duke nisur nga shefi i qeverise Rama, shefja e diplomacisë Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave.

Të hënën do të mblidhen edhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së e atëherë do të jetë edhe më e qartë axhenda e Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Kjo konferencë do të zhvillohet paraditen e 19 korrikut. Është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa delegacioni i BE-së do të kryesohet nga ministri i Jashtëm çek, si vendi që ka Presidencën e radhës së BE-së, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme, Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin, Varhelyi.

Delegacioni shqiptar do të ulet përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, Josef Borrell, Komisionerit për Zgjerim, Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE-së. Përfaqësuesit e të dyja palëve do të paraqesin kornizën negociuese, e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë, kjo do të jetë edhe çelja zyrtare e negociatave.

Ndërsa për MV, kjo tryezë do të jetë vetëm shprehje e vullnetit nga BE, pasi për t’u ulur në tryezën teknike të negocimit, më parë duhet të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese që dikton propozimi francez, që mori votëbesimin e Parlamentit të këtij vendi këtë të shtunë. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, në marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të martën procesi i negociatave nis zyrtarisht me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Zjarr Tv Ad