Kompania greke e telekomunikacionit OTE njoftoi të mërkurën se ka arritur marrëveshjen për shitjen e aksioneve të saj në Telekom Albania për 50 milionë euro te kompania Albania Telecom Invest AD. Sipas njoftimit për shtyp, kjo e fundit është e kontrolluar nga biznesmeni bullgar Spas Roussev, i cili njëkohësisht ka pronësinë e paketës kontrolluese të telekomit bullgar Vivacom si dhe nga Elvin Guri, një investitor shqiptar në bullgari. Telekom Albania u themelua fillimisht si kompani shtetërore e komunikimeve celulare me emrin Albanian Mobile Communication (AMC). Ajo u privatizua në masën 85% për 85.6 milionë dollarë në vitin 2000 dhe u ble nga kompania greke Cosmote. AMC u bë kompania më fitimprurëse në Shqipëri për shumë vite. Fitimet e saj shënuan kulmin në vitin 2009 me 12 miliardë lekë (100 milionë euro).
Spas Roussev është një biznesmen kontrovers bullgar që njihet për një histori të gjatë lidhjesh me politikanë të ndryshëm bullgarë, financierë rusë si dhe anëtarë të botës së krimit të organizuar.
Kompania e tij e telekomunikimit Telelink ka një shtrirje të fortë në tregun e telekomunikacionit në Bullgari. Blerja e tij më e rëndësishme është ajo e Vivacom më 2014-2015, një nga tre rrjetet e telekomunikimit celular në Bullgari dhe pasardhësi i kompanisë bullgare të telekomunikacionit në konsorcium me VTB Capital dhe Delta Company të ish ministrit të financave Milen Velchev.
Velchev dhe Roussev kanë një histori të gjatë sëbashku, duke filluar që nga fillimi i viteve 2000, kur një skandal shpërtheu pasi u publikuan foto të Velchev dhe Ivan Todorov – i njohur si Doktori – një trafikant famëkeq i cili më pas u vra. Fotot ishin nga një jaht në Monako, i cili ishte marrë me qira nga Roussev për të ndjekur garën e Formula 1.
Roussev u bë i njohur në publik si “kumbari” i shumë financierëve të rinj, përfshirë Velchev, i cili u soll nga Londra në vitet 2001-2005, kur kryeministri Simeon Saxe-Coburg-Gotha po kërkonte të rinj për qeverinë e tij. Ky biznesmen ka interesa edhe në sektorin e hotelerisë, pasi bleu hotelin Radisson në Sofie dhe pjesë të Hilton-Sofia në vitete 2012 dhe 2013. Ai është gjithashtu pronar i skuadrës së futbollit Levski të Sofies.