“Tentuan të futen te kompjuteri i Altin Dumanit!” Dosjet e prokurorëve “shënjestër” e hakerave, SPAK me njoftim zyrtar

0
162
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ardhur pasditen e kësaj të enjte me një reagim zyrtar lidhur me lajmin e bërë me dije një ditë më parë, se persona të paautorizuar kishin tentuar që të futeshin në dosjet e prokurorëve të posaçëm.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK bën me dije se në datën 12 mars 2025 morën informacione se ishin vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të e-maileve të prokurorëve. Por, falë masave të sigurisë, sipas asaj që Prokuroria e Posaçme njofton, nuk u arrit që të ndërhyjnë në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili mbetet i pa cenuar.

Gjithashtu, falë hetimeve ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maileve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së së këtij institucionit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme personat përgjegjës kanë arritur që të marrin disa informacione, mirëpo nuk kanë mundur që të kenë akses në dosjet hetimore.

Gjithashtu, gjatë këtij hakerimi është tentuar që të ndërhyhet edhe në e-mail-in e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit. Kjo tentativë ka rezultuar pa sukses nga personat përgjegjës.

Raportohet se një nga të arrestuarit ka ndërhyrë në e-mail, ndërsa tjetri ka shpërndarë informacionin e marrë nga adresat elektronike të prokurorëve të posaçëm tek persona të tretë. SPAK informon se ka sekuestruar pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët e shkarkuar.

“Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar”, thuhet në reagimin e SPAK, teksa më tej theksohet se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të Prokurorisë së Posaçme.

Reagimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.

Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.

Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet.

Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.

SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Zjarr Tv Ad