Samiti i Paqes në Paris ka bërë bashkë krerët e shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Palët angazhohen të vijojnë dialogun me ndërmjetësinë e vendeve aleate. Për Kosovën, marrëveshja do përmbushte aspiratat euroatlantike, ndërsa për Serbinë, do e bënte pjesë të familjes europiane brenda 2025-ës.
Kosova është gati të arrijë një marrëveshje paqësore me Serbinë për të përmbushur interesat euroatlantike.
Në prag të Samitit të Paqes që organizohet në Paris, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i deklaroi homologut francez, Emanuel Makron, se Kosova duhet të konsolidohet në arenën ndërkombëtare.
“Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Kjo do të thotë më shumë mundësi për prosperitet, për jetë më të mirë, për të gjithë qytetarët e Kosovës,” njoftoi presidenca kosovare.
Thaçi falënderoi presidentin Makron për përkrahjen e tij, duke thënë se Kosova ka synim vetëm anëtarësimin në NATO dhe BE.
Në Samitin e Paqes në Paris marrin pjesë mbi 30 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota, mes tyre presidenti shqiptar Ilir Meta dhe ai serb Aleksandër Vuçiç.
Në darkën zyrtare me kreun e Elizesë, Vuçiç tha se Franca e mirëkupton pozicionin e Beogradit përballë Prishtinës dhe do kontribuojë në zgjidhjen e saj.
Kryeshtetari serb shtoi se kapërcimi i mosmarrëveshjeve do i hapte vendit dritën jeshile për anëtarësimin në BE në vitin 2025.