Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest në burg” për Axel Hoxhën, 18 vjeçarin që qëlloi me thikë Stiven Toshkezi. Pas një arratie të shkurtër, Hoxha u vetëdorëzua në Polici dhe do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
“Do të flas në një moment të dytë” ka thënë Axel Hoxha para togave të zeza, duke mos pranuar të dëshmojë më shumë për krimin e rëndë që përgjaku kryeqytetin pak ditë më parë.
18 vjeçari raportohet se i kishte ngacmuar në Instagram të dashurën Stiven Toshkezit dhe pas një konflikti të mëparshëm, i kishte bërë pritë mesnatën e 18 prillit. Axel Hoxha ndodhej bashkë me shokun e tij Ensi Maze, i cili është arrestuar.
Dje, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dhe 18 vjeçarin tjetër Ensi Maze. Ky i fundit ka thënë se nuk kishte dijeni për sherrin mes shokut të tij dhe Stiven Toshkezit, dhe as nuk e dinte që ai kishte me vete thikë.
Maze studionte në Holandë dhe sipas asaj që deklaroi avokati mbrojtës dje, më datë 19 prill kishte prerë biletën e kthimit. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë para se Ensi Maze të largohej drejt Holandës dhe aktualisht qëndron në qeli, nën akuzën paraprake “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim.