Tsipras: 12 miljet e detit jo me dekret presidencial, por me ligj

0
59
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Greqia nuk tërhiqet nga vendimi për zgjerimin e ujërave territoriale, por ky zgjerim nuk do të bëhet me dekret presidencial, siç kishte paralajmëruar ish-ministri i jashtëm, Nikos Kotzias.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka thënë se kjo do të realizohet me anë të një ligji që do të paraqitet në parlament dhe pas konsultimeve në këshillin shkencor të Ministrisë së Jashtme, si dhe me partitë politike.

Gjithsesi, analistët thonë se rruga deri në finalizimin e kësaj iniciative është mjaft e gjatë.

Tsipras ka drejtuar mbledhjen e parë si shef i diplomacisë greke, ku ai do të drejtojë direkt sektorët e Ballkanit, marrëdhëniet me Turqinë dhe me Qipron.

Sipas agjencisë zyrtare, ANQA-MPA, kryeministri është informuar veç të tjerash edhe për ecurinë e negociatave me Shqipërinë.

Agjencia thotë se çështja që është diskutuar më shumë ka qenë ajo e zgjerimit të detit territorial, në sfondin edhe të reagimeve të ashpra të Ankarasë, ditën e djeshme.

Këtë temë, Tsipras do ta diskutojë edhe me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili e ka ftuar të vizitojë Ankaranë, në një datë që ende nuk është përcaktuar.

Ndërkohë, në “duelin” e deklaratave turko-greke, ka ndërhyrë edhe Uashingtoni.

Departamenti amerikan i shtetit deklaroi se qëndrimi i SHBA për kontekstin midis dy aleatëve, nuk ka ndryshuar.

“Politika jonë për këto çështje nuk ka ndryshuar. Turqia dhe Greqia kanë krijuar prej vitesh urat diplomatike për trajtimin e këtyre çështjeve. Si qëndrim parimor, SHBA-të mbështesin sovranitetin e të dy vendeve,”-thuhet në deklaratën e lëshuar në anën tjetër të Atlantikut.

Zjarr Tv Ad