Tsipras çon Greqinë në zgjedhje me 7 korrik, s’ka qeveri teknike

0
14
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Greqia pritet t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme në datën 7 korrik. Pas disfatës së partisë qeverisëse “Syriza” kundrejt opozitarëve konservatorë, disa anëtarë të kabinetit kanë fajësuar kolegët e tyre për rezultatet e dobëta, duke i akuzuar ata për arrogancë dhe paaftësi për të mbrojtur arritjet e qeverisë.Zëdhënësi i kabinetit tha të martën se vendimi për ta shtyrë me një javë afatin e zgjedhjeve është marrë për të mos penguar procesin e provimeve për pranimet në universitete.

Zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Greqi do të mbahen më 7 korrik, nën kujdestarinë e qeverisë aktuale të Tsipras.

Zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos në një intervistë për Alpha tha se zgjedhjet e parakohshme vinë si nevojë për zhvillimin normal ekonomik të vendit.

Tzanakopoulos shtoi se Kryeministri do të vizitojë Presidentin e Republikës më 10 qershor për të kërkuar për shpërndarjen e parlamentit.

Ai shpjegoi se data 7 korrik ishte zgjedhur për të mos penguar provimet e maturës, pas një konsultimi të Tsipras me Ministrin e Arsimit.

Deri atëherë, qeveria ruan të gjitha fuqitë. “Nuk ka dorëheqje të Kryeministrit apo qeveri teknike, situata është krejtësisht e ndryshme nga shtatori 2015,” tha ai. 

Tzanakopoulos shtoi se nuk do të ketë as ndryshime në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Zëdhënësi i qeverisë greke tha se rezultati i zgjedhjeve evropiane do të vlerësohet politikisht.

“Debati mbi akuzat e shkaktuara nga qendrat e huaja nuk ka kuptim këtë kohë, nuk ka kuptim t’i caktojë përgjegjësitë personale. SYRIZA është e bashkuar dhe e vendosur për të mbrojtur idetë, vlerat dhe vizionet dhe ne kemi potencialin për të përmbysur situatën”.

Duke iu referuar shkaqeve të humbjes, ai vuri në dukje se “një nga arsyet kryesore ishte gjendja politike e memorandumit që duhej të menaxhonim. Ne kemi marrë një situatë të vështirë ku 25% e qytetarëve janë përjashtuar nga shërbimet shëndetësore dhe të mirëqenies. Ne zgjodhëm të përqendrohemi në përpjekjet për rivendosjen e standardit të jetesës së qytetarëve. Duke pasur parasysh kufizimet buxhetore, ne nuk kemi arritur të krijojmë kushte më të mira jetese. Pak kohë ka mbetur nga memorandumet dhe efektet pozitive të politikës së re ekonomike nuk janë parë.”

“Disa zyrtarë u treguan arrogantë, ndikuan rezultatin”

Kryeministri Alexis Tsipras shpalli në fundjavë se do e shpërbëjë parlamentin pas raundit të dytë të zgjedhjeve vendore më datën 2 qershor pas rezultateve të dobëta në garën për mandatet europarlamentare dhe për bashkitë e vendit.

Me numërimin e 99 për qind të votave, është konfirmuar se partia opozitare “Demokracia e Re” ka fituar 33 për qind të votës ose 8 mandate në Parlamentin Europian, partia qeverisëse “Syriza” ka marrë 6 mandate, dhe nga 2 mandate kanë fituar përkatësisht “Lëvizja për Ndryshim”, “Partia Komuniste” dhe “Agimi i Artë”.

Brenda grupimit qeverisës tani po kërkohet dorëheqja e zyrtarëve që mund të kenë ndikuar në rezultatin e dobët.

Ish-ministri i Jashtëm Nikos Kotzias dhe sekretari i partisë “Syriza”, Panos Skurletis, thonë se disa anëtarë të kabinetit kanë dëmtuar imazhin me sjelljen e tyre arrogante apo duke mos i bindur qytetarët për arritjet e qeverisë.

Më i shënjestruari prej tyre mbetet ministri i Shtetit Kristoforos Vernardakis, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Tsipras, të cilit i ishte ngarkuar sondimi i qytetarëve përpara zgjedhjeve.

 

Zjarr Tv Ad