TVSH, rimbursohen 100 mln euro, por mbeten të paktën edhe 80 mln euro të tjera

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vlera e TVSH së rimbursuar arriti në fund të muajit nëntor në 12.6 miliardë lekë ( 100 mln euro), pothuajse në nivele të ngjashme me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

TVSH e rimbursuar ishte sa 8.8 % e shumës së arkëtuar nga tatimet dhe doganat.

Mirëpo edhe pse vlera e rimbursimit arriti në 100 milionë euro, duket se kjo shumë nuk ka qenë e mjaftueshme për të shlyer detyrimet e prapambetura të TVSH.

Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi në deklaratën e fundit të misionit që i takon nëntorit 2018 se, ishin gjetur 10 miliardë lekë detyrime të prapambetura në formën e TVSH-së deri në fund të shtatorit 2018, ose rreth 80 mln euro.

Kjo shumë i takon kryesisht tre kompanive të mëdha, Bankers Petroleum, Devolli Hydropower, dhe gazsjellësi TAP, për të cilat qeveria është angazhuar që t’i kryejë pagesat të shtrira në kohë me këste. Burime nga këto kompani thanë për Monitor se procesi i rimbursimit ka qenë i ngadaltë, ata hasen me kontrolle të vazhdueshme, ku një pjesë e TVSH-së nuk njihet, ndërkohë që shuma e rimbursuar sa vjen e shtohet.

Gjithashtu bizneset e sektorit të agroindustrisë dhe fasonit janë ankuar së fundmi se kanë mbi një vit që nuk po marrin rimbursimin e TVSH-së.

Dhoma Kombëtare e veshjeve njoftoi se do të mbajë me 11 janar një konferencë për mediat për të njoftuar problemet ende te pazgjidhura të rimbursimit të TVSH për vitin 2018 si dhe efektet negative të mbivlerësimit të monedhës shqiptare në raport me Euron, që vijojnë te dëmtojnë eksportet.

Shoqatat e eksportueseve dhe fasonit i pohuan Monitor në fund të vitit 2018 se mosrimbursimi i TVSH prej gati një viti është shndërruar në një pengesë serioze për aktivitetin.

Edhe Ministria e Financave ndryshoi ligjin për rimbursimin e TVSH-së në vitin 2015 duke shkurtuar afatet dhe procedurat përmes një procesi automatik, teksa shihet se ligji nuk është respektuar dhe detyrimet e prapambetura janë rikthyer./Monitor

 

Zjarr Tv Ad