Si shumë të famshëm të tjerë edhe këngëtarja Leonora Jakupi nuk ka qëndruar dot pa reguar në lidhje me dy qytetarët e Kosovës, të cilët u gjobitën në Shqipëri sepse po lëviznin me makina luksoze me mbi 220 km në orë.
Ndryshe nga të tjerët, Leonora i ka dalë në “mbrojtje” dy shoferëve të cilët kishin ardhur nga Zvicëra në Shqipëri dhe u “shfrenuan” rrugëve të vendit tonë duke ikur me shpejtësi skëterrë pa marrë parasysh çfarë fatkeqësi mund të shkaktonin.
Ajo shprehet kundër kritikave duke thënë se askush nuk i respekton rregullat dhe se gjithësecili paguan për gabimet e veta.
“Çka keni more me tan këto sulme për mërgatën tonë? Jo po garojnë me vetura, jo po parkohen keq, s’po i respektojnë rregullat në komunikacion etj etj. A mos jemi ne ma mirë se ata? Apo keni harru që jemi brumë i njëjtë? Leni njerëzit. le të kënaqen në vendin e vet, tek e fundit secili paguan për gabimin e vet! Gëzuar Diasporë.”, ka shkruar Leonora në “InstaStory”.
Më herët edhe këngëtari Genc Prevlukaj ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje ku sipas Gencit dy shqiptarët e Kosovës duhet të dërgohen për kontroll mjekësore, të shikohet nëse janë normal, pasi gjoba e vendosur kundrejt tyre sipas tij është shumë pak.