Nëna e Sibela Abedinit, e cila dyshohet se u vetëvra pas shantazheve me foto intime në TikTok, në emisionin Me zemër të hapur në News24, deklaroi se një person e ka kërcënuar.
Ajo shprehet se një person i hipur në një makinë i ka thënë se do ia marrë fëmijën peng, në rast se nuk i lirohet vëllai. Sipas nënës së Sibelës, personi i ka thënë më tej se me “laçianë nuk merret dot njeri”.
“Një makinë kaloi pranë meje dhe më tha se brenda 24 orëve nëse nuk e nxjerrin vëllain nga burgu, shtëpinë ta dimë, e do të marrim fëmijën peng, se me laçianët nuk merret dot njeri. Shkova tek policia dhe iu thashë se kërcënimi ka ndodhur përballë shkollës “Ibrahim Rugova”.
Ai që më kërcënoi ishte i shëndoshë, me një xhup të zi dhe tullac. Shkolla është afër banesës time. Pastaj kam marrë çunin e xhajës në telefon që të më mbronte. Vajza mbante një thikë, se kishte frikë, e mbante me vete për vetëmbrojtje. Nuk më ka ndodhur asnjëherë të kërcënohem, është hera e parë që më ka ndodhur. Unë dhe fëmijët po kalojmë në trauma, kemi frikë të lëvizim”, tha nëna e Sibela Abedinit.
Për vetëvrasjen e Sibela Abedinit, ndodhet në burg Altin Çoku. Abedini dyshohet se kreu vetëvrasje, pas publikimit të një foto intime të saj.