Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi pranë derës së shtëpisë së 47-vjeçarit,Laver Tozaj. Mbi Tozajn është qëlluar 7 herë, dy prej të cilave në kokë dhe 5 të tjerat në pjesën e gjoksit dhe kraharorit.
Dyshohet se ka qenë një autor i vetëm, kjo për shkak se është qëlluar shumë afër dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke shfrytëzuar faktin që nuk kishte drita. Gjithashtu, dyshohet se ai e njihte mirë zonën duke u larguar me shpejtësi, pa u vërë re nga askush. Pista e vetme e hetimit është ajo e hakmarrjes që lidhet ngushtësisht me të shkuarën e tij kriminale si trafikant droge, pasi nga kontaktet me banorë të zonës, mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt në fshat.
Policia ka marrë në pyetje 15 persona, mes tyre dhe gruan dhe vëllezërit, të cilët kanë mohuar të kenë pasur konflikte.
Kush ishte 47-vjeçari me tre emra i dënuar më parë me 6.8 vite burg për drogë ?
Viktima Nikola Ikonomi është me precedencë të mëparshëm penal, ku në vitin 2011 Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e kanë dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për trafik droga.
“ Laver Tozaj, shpallet fajtorë për kryerje të veprës penale të: “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me dhjetë vjet burgim;” shprehej Gjykata.
Nikola Ikonomi (Emri i fundit i përdorur nga ai ) kishte tre emra pasi e kishtë ndërruar. Fillimisht quhej Laver Tozaj, më pas në Xhaferr Tozaj dhe së fundmi në Nikola Ikonomi.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka akuzuar viktimën për trafikimin e 1146 kilogramëve kanabis në drejtim të Greqisë, ngjarje e ndodhur në vitit 2005. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën janë të pandehur personat e dërguar në gjykim, ku në krye të listës ka qenë Tozaj, ka ndodhur më 17 mars 2005, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë ku është sekuestruar sasia prej 1146 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Droga ishte ngarkuar në një kamion që kishte si destinacion, kalimin në territorin e shtetit grek.