Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zbuluar arsyen e zhdukjes së tij për disa ditë që prej ditës së arrestimit të Jamarbër Malltezit.
Meta gjatë një konference u shpreh se këto ditë është marrë me disa çështje shëndetësore që i kishte lënë pas dore.
“Unë për hir të së vërtetës për arsye personale të çështjes së shëndetit nuk kam qenë shumë i pranishëm publikisht dhe ju jeni shqetësuar. Dua të them se duhet të ruajmë kujtesën, që të jemi koherentë dhe të themi të vërtetën”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i PL-së, Ilir Meta, ka mohuar se ka një fletëthirrje nga SPAK-u për çështje të lobimit në SHBA.
“Këto janë lajme tërësisht banale. Pse janë banale, se janë pa përmbajtje. Janë tema të lodhura. Nuk përbën asnjë lajm që Meta të shkojë në SPAK.
Kam qenë në SPAK si kallëzues publikisht në prezencën tuaj, me letra në dokumente. Nuk jam thirrur si kallëzues se ashtu e kanë gjykuar. Do shkoj kurdo të më thërrasin se nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia dhe nga aktiviteti im si politikan se nuk ka asnjë akt të nënshkruar nga Meta dhe gjithçka ka qenë dhe mbetet në përmbajtje të Kushtetutës. Ekziston një çështje Meta ndaj kryeministrit Edi Rama”, tha Meta.