Ushtarët e Kosovës, janë duke bërë përgatitjet e fundit për parakalimin që do të kenë më 17 shkurt, për nder të 11-vjetorit të pavarësisë. Kjo është hera e parë që do të parakalojnë para qytetarëve me mision ushtarak. Për këtë ndjejnë krenari dhe fat udhëheqësit e këtij dikasteri. Majore Remzie Zeqiraj i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998. Tani, pas 20 vjetësh, si oficere që jep kontributin e saj në zyrën për informim në Ministrinë e Mbrojtjes, ajo po përcjell me vëmendje përgatitjet për parakalimin e ushtrisë. Ndjen krenari që amaneti i shokëve të luftës që i humbi, më në fund u bë realitet. Në ushtrinë e Kosovës 8.1% janë femra. Në ushtrinë e Kosovës ka edhe minoritete të komunitetit serb, boshnjak, ashkali dhe rom. Parakalimi i FSK-së në përvjetore të pavarësisë tashmë është shëndrruar në traditë. Në parakalimin e së dielës, ushtria më e re në botë, ajo e Kosovës, kësaj radhe nuk do të prezantojë makineritë e saj ushtarake.