Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka folur mbi situatën e Covid 19 në vendin tonë, rastet e infektimeve dhe vaksinimin e detyrueshëm. Këtë të fundit Alimehmeti e quajti shumë të shpejtë për vendin tonë, sa kohë që nuk është bërë punë e madhe në bindjen e qytetareve edhe përmes komunikimit të vazhdueshëm dhe derë më derë.
“Si shëndet publik ne nuk kemi bërë mjaftueshëm që të çojmë informacionin e besueshëm të qytetarëve, ndryshe nuk kishte pse vaksinimi të bëhej i detyrueshëm. Ne nuk kemi shkuar në terren derë më derë te qytetarët, kontakti personal është shumë i fortë, detyrimi është i parakohshëm sa kohë që ne nuk i kemi konsumuar të gjitha hapat.
Ne kemi dy shembuj, është Britania , ku ka funksionuar shumë më mirë informacioni, dhe Franca po përpiqet të bëjë gjithçka të detyrueshme dhe mbetet pas me numrat e vaksinimit. Duhet të shkohet deri te figurat fetare, të artit që të bindnin njerëzit për tu vaksinuar.
Pasi të ezaurohen të gjitha mundësitë, mund të kërkonim vaksinimin e detyrueshëm, vetëm atëherë që të kemi garanci se vaksina mbron nga infektimi. Ne kemi shumë studentë që e kanë kaluar Covidin në rrugë natyrore, çfarë shtojmë me vaksinën? Këtu kemi një vakum rruge, kontakti dhe informacioni, që duhet ta bëjnë të gjithë nga i pari te i fundit”, u shpreh Alimehmeti.
Epidemiologu tha më tej se vaksinimi i detyrueshëm do të sjellë një bumerang, pasi shumë njerëz po paguajnë për vaksinimin fiktiv.
“Di që ministria ka prodhuar disa informacione online, që janë pak veta që e kërkojnë, ai që e kërkon nuk është hezitues, ai nuk shkon që ta kërkojë vetë informacionin. Duhet të marrim parasysh që ka një fenomen tjetër kur e bëjnë të detyrueshëm, që është vaksinimi fiktiv. E kishim parë të raportuar në Europë dhe SHBA, por nuk e kishim hasur në vendin tonë.
Njerëz që nuk janë vaksinuar dhe kanë dokumentin sikur e kanë kaluar, janë njerëz që dëmtojnë shëndetin e tyre. Nuk mund të themi që të vaksinuarit nuk infektojnë persona të tjerë. 1 vaksina eviton shenjat e rënda të sëmundjes, ka qenë gabim perceptimi dhe retorika që vaksina do të ishte fundi i kësaj pandemie.
Kjo kthehet në zhgënjim, në pozicion, në frenim, në hezitim, na kthehet kundër. Patjetër që përbën vepër penale, është njësoj si patenta e marrë pa dhënë provimin. Nuk do të kishte ndodhur në rast se nuk do të ishte e detyrueshëm. Kjo lojë nisi që në Dhjetor të 2020-tës, dhe sapo u përmend fjala detyrim janë 1500 kompani që merren me prodhimin e pasaportave të rreme. Vërtetimi i vaksinimit është i pamundur”, tha më tej epidemiologu./FaxNews