Ish-deputeti i LSI Petrit Vasili në një konferencë për mediat tha se grabitja në Rinas i vuri damkën Shqipërisë. Vasili u shpreh se grabitja ndodhi në zonën që duhej të ishte pjesa më e sigurt në vend, ndërsa theksoi se shteti i është dorëzuar krimin.
“Qytetarët shqiptarë janë të shokuar nga ngjarja më e fundit e ndodhur në Aeroportin e Rinasit ku një grup kriminal demonstroi qartë me veprimet e tij që siguria në këtë aeroport është zero, roli i shtetit në garantimin e kësaj sigurie është sigurisht zero dhe reagimi i shtetit sërish zero. Në vend të reflektimit shteti ka zgjedhur dorëzimin e plotë të shtetit dhe interesave të tij krimit dhe kriminelëve.. Ky shtet tregon se tregon se vendi është në dorë të Zotit, ose më saktë në dorë të kriminelëve, por kurrsesi në dorë të shtetit”, tha Vasili.
Petrit Vasili nënvizoi se vendimi i marrë nga kompania austriake e fluturimeve është i paprecedentë dhe ekspozon Shqipërinë si vend me sigurinë zero. Ai shtoi se nuk ka ende emër të ndonjë personi përgjegjës të shkarkuar.
“Kjo qeveri e ka dorëzuar shtetin tek krimi. I vuri damkën Shqipërisë në opinionin e huaj. Si përherë gjurmët e grabitësve humbasin. Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në atë karrike është ditë e zezë për shqiptarët”, vlerësoi Vasili.