Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tregon rrezikun e madh që vjen nga bateritë e makinave, teksa bën thirrje për kujdes të shtuar në ndërrimin e tyre.
Një 13-vjeçar ndërroi jetë sot në Babrru të Tiranës, dhe paraprakisht shkak dyshohet se është bërë gazi i çliruar nga bateria e një makine që ndodhej në garazhin e shtëpisë.
Karamuço thotë se bateritë e makinës çlirojnë hidrogjen sulfuric, një gaz që është vdekjeprurrës, sidomos në hapësira të mbyllura.
“Një këshillë që shpëton jetë: Ndërrojini bateritë e makinave në ambjente të hapura dhe me ndihmën e një tekniku.
Vdekjet nga bateritë e makinave janë të rralla, por ndodhin. Një nënë me një fëmijë 3 vjeçar u asfiksuan dhe u gjetën pa shenja jete në makinë, para disa muajsh në USA. Fajtori është gazi shumë toksik i hidrogjenit sulfurik.
Në kushtet e nxehtësisë së lartë nga mbikarikimi difektoz ose nga dëmtimi i strukturës mbrojtëse të baterisë së makinës, acidi sulfurik i saj, çliron hidrogjenin sulfurik.
Ky gas është vdekjeprurës, sidomos në hapësira të mbyllura, duke dëmtuar rëndë funksionimin e aparatit respirator tek njeriu.
Ngushëllime familjes për humbjen e djalit 13 vjeçar”, shkruan ai.