Veliaj flet për herë të parë për inceneratorin e Tiranës: S’kam firmosur në emër të Këshillit, por vetëm për Tiranën

0
8
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në lidhje me arrestimet në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Veliaj është shprehur se dy kolegët inxhinierë të bashkisë, u vetëofruan për të sqaruar pozicionin e tyre për inceneratorin, ndërsa nuk shmangu akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar “lepur që çan ferrën sa herë ka përballë drejtësinë”.

Në intervistën në emisioni “Real Story”, ai tha se dy inxhinierët kanë treguar një dozë të lartë integriteti dhe janë aty për të sqaruar rolin e tyre në komision.

“Kur një njeri, që vrau 4 vetë në Bulevard, ku isha edhe vetë protestues, mund të ishte secili prej nesh, i s’përdridhet drejtësisë, sigurisht që kjo të revolton. Dhe kur shikon që dy inxhinierë të bashkisë, të cilët sa dëgjojnë lajmet shkojnë vetë në komisariat… po kjo s’ka të bëjë me sistemin, por me karakterin.

Kolegët e mi janë disa herë më shumë burra se sa një një plak lepur, që vrapon sa herë i vjen drejtësia vërdallë. Ky është turp për Saliun, mënyra se si largohet, si skile, çdo procesi që degradon personalitetin e tij në fund të jetës e do të mbahet mend gjithmonë si një frikacak që çan ferrën bashkë me të tjerët.

Për dy kolegët, unë besoj se është një argument për gjykatën, se dy njerëz që ofrohen vetë ende pa dalë masa, tregon që jo vetëm s’kanë ndërmend të ikin, por kanë edhe burrërinë të përballen dhe të thonë: “Po more, nga ky komision me 7 anëtarë, ky ishte roli ynë!”. Ata nuk po akuzohen as për korrupsion, por për mënyrën se si kanë performuar në një komision. E megjithatë, nuk është roli im të gjykoj prokurorin dhe gjykatat. Roli im si autoritet është që, jo vetëm të ofroj të gjitha dokumentat, po të inkurajoj këdo që t’i përgjigjet drejtësisë.

Dy inxhinierët e Bashkisë kanë treguar një dozë shumë të lartë integriteti dhe burrërie duke shkuar vetë dhe duke u vetëofruar, siç ata kanë shkuar sa herë që janë thirrur, dhe jo si dikush që, edhe pse ka drejtuar vendin, ende sot si skile mundohet t’i largohet drejtësisë. Ky është turpi i Saliut e nder për inxhinierët”, tha Veliaj.

Në lidhje me akuzat, kryebashkiaku i Tiranës tha se janë fabrikimet e opozitës janë të përmasave qesharake, të cilat mund të çmontohen me tre fletë.

“Së pari, nga të gjithë armiqtë politikë dhe kundërshtarët e progresit të qytetit, ka një ngazëllim shumë të madh kur bëhet fjalë për Tiranën. U provua që toka nuk është pronë e Bashkisë. Siç ish-administrata Basha-Tabaku e transferoi atë pronë me një letër, sepse e ka pasur vetëm në administrim dhe jo në pronësi, ashtu e ka kaluar edhe kjo bashki.

Pra, bie një legjendë urbane, ashtu siç bie edhe legjenda tjetër urbane, se kryetari i Bashkisë është përgjigjur në emër të Qarkut. Jo! Jam përgjigjur vetëm për bashkinë e Tiranës. Pastaj, bie edhe legjenda e Këshillit Bashkiak sepse ka miratuar jo vetëm fondin, por ka autorizuar Kryetarin e Bashkisë duke i thënë: “O zotëri, meqë qeveria ka caktuar këtë vend për mbetjet, atëherë pasi të kesh siguruar paratë, – që ne i siguruam nga qeveria – shko dhe firmos angazhimin tënd për kontratë shërbimi, jo investimi. Tirana ndryshon edhe si model nga Elbasani dhe Fieri.

Ndryshon edhe për faktin se intensiteti i vëmendjes për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është më i madh. Por edhe fabrikimi është i përmasave qesharake, që çmontohet me tre fletë. Ndaj, ndërgjegjen e kam të pastër”, deklaroi ai.

Veliaj u shpreh se Bashkia është e hapur dhe se dokumentet janë në përputhje me ligjin.

“Politikisht ne u kemi dhënë një goditje fatale këtyre dy pronave private që quhen PD dhe LSI. Por, besoj se kemi mundësinë që, edhe nga ana juridike, të provohet se dy kolegët inxhinierë të bashkisë kanë qenë në komision për të kontribuar me informacion se në çfarë vlerash prodhohen mbetjet në Tiranë. Ata nuk janë as juristë, as llogaritarë.

Këtë do ta vlerësojë gjykata. Unë jo vetëm që nuk kam arsye ta dyshoj hetimin, por përkundrazi, porosia që kam dhënë është se ne jemi të hapur. Nuk kemi asnjë kompleks për sa kohë që të gjitha dokumentet janë në rregull, për sa kohë prona nuk ka qenë e bashkisë, – thjesht ka qenë në administrim – dhe për sa kohë që Këshilli Bashkiak, pasi është firmosur kontrata në gusht, ka votuar për autorizim në shtator”, tha Veliaj.

Zjarr Tv Ad