Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është pritur me protesta nga banorët e Unazës së Re.
Paraditen e sotme teksa ka shkuar për një inspektim në zonë, ai është rrethuar nga një grumbull banorësh.
Gjatë këtyre momenteve ka pasur edhe tensione dhe përplasje fizike, ku banorët kanë goditur shoqëruesit e kryebashkiakut.
“O Erion, o iriq merr gomar e shko për fiq”, “E duam bashkinë, pa Erion Velinë”, “Unaza e bashkuar, ka për të fituar”, “Erion Veliaj, këtu vendosim ne”, kanë thirrur në kor banorët, teksa nuk kanë kursyer fyerjet ndaj kryebashkiakut.
Bëhet fjalë për banorët, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe, ku për një pjesë të tyre u bë edhe shembja.
Prej thuajse dy muajsh banorët e “Astirit” në Tiranë dalin çdo ditë në protestë, duke deklaruar se nuk do të lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.