Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha ka reaguar një ditë pasi Gjykata e Lartë i kaloi çështjen e vulës dhe logos së PD në Apel. Sipas Indrit Sefës, vendimi që u mor dje është i njëjti me qëndrimin e mbajtur nga ana e tyre para Gjykatës së Apelit.
Ai thotë se “gjatë gjykimit në Apel, Partia Demokratike kërkoi shqyrtimin në themel të çështjes dhe zgjidhjen përfundimtare të saj nga ajo Gjykatë, kërkesë që nuk u mor parasysh”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, sipas Sefës, detyron “Gjykatën e Apelit për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të çështjes duke bërë të mundur vendosjen e drejtësisë së vonuar për çështjen gjyqësore të PD-së”.
Sefa publikon edhe një dokument të marrë sot më datë 28 dhjetor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm që vërteton se Lulzim Basha është kryetar i PD.
“Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë, që detyron Gjykatën e Apelit të zgjidhë në themel çështjen dhe ti japë përgjigje kërkesave të Partisë Demokratike, është i njëjtë me qëndrimin e mbajtur nga ana jonë para Gjykatës së Apelit.
Gjatë gjykimit në Apel, Partia Demokratike kërkoi shqyrtimin në themel të çështjes dhe zgjidhjen përfundimtare të saj nga ajo Gjykatë, kërkesë që nuk u mor parasysh.
Prej më së dy vitesh, Partia Demokratike ka kërkuar të përballet me të gjitha provat në një debat në seancë gjyqësore, e drejtë e cila është mohuar me anë të veprimeve dhe vendimeve procedurale, që më në fund Gjykata e Larte i pranoi si të drejta.